Në Shqipëri ekonomia dha shenja gjallërimi në tremujorin e tretë të këtij viti, duke u rritur, sipas të dhënave të publikuara të premten nga Instituti i Statistikave (Instat) me 4.02 përqind. Pothuajse të gjitha degët e ekonomisë kanë rregjistruar një aktivitet pozitiv, por rritja qartazi i detyrohet kryesisht turizmit dhe ndërtimit.
Sipas Instat-it, grupi i aktiviteteve Tregti,Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor, i cili përfshin sektorët e lidhur drejtpërdrejtë me turizmin, pati një rritje prej 9,94 përqind. Kontributi në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) rezulton në fakt më i larti me 1,94 pikë përqindje, gati gjysmën e të gjithë rritjes tremujore. Nga ana tjetër ndërtimi u rrit me 10,66 përqind, ndërsa aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme me 13,84 përqind. Të dyja së bashku kontribuan me 1,8 pikë përqindje.
Ekonomia shqiptare ka rregjistruar një rritje ekonomike me luhatje jo të vogla gjatë këtij viti. Në tremujorin e parë, ajo u rrit me 6.5 përqind për të shënuar më pas një rënie me 2.2 përqind në atë pasardhës, duke reflektuar menjëherë pasojat e shumëanshme të luftës në Ukrainë dhe pasiguritë që e shoqëruan. Si 9-mujor, rritja mesatare ekonomike përllogaritet në 4.25 përqind.
Rritja në tremujorin e tretë ishte e pritshme nga autoritetet, të cilat gjithashtu parashikojnë një tkurrje të aktivitetit ekonomik në tremujorin e fundit. “Pritjet për rritjen ekonomike në tremujorin e katërt mbeten të rrethuara nga pasiguri më të larta, kryesisht në varësi sesi do të shkojnë zhvillimet ekonomike ndërkombëtare. Një ngadalësim i rritjes ekonomike ka të ngjarë të ndodhë për tremujorin e fundit për shkak të pasigurive të ngritura, gërryerjes së të ardhurave reale prej inflacionit dhe shtrëngimit të kushteve financiare”, deklaroi pak kohë më parë ministrja e Financave Delina Ibrahimaj.
Megjithatë parashikimet si të qeverisë shqiptare, ashtu dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për vitin 2022, u rishikuan më herët, për lart. Nga 3.2 përqind që ishte parashikimi fillestar, pritshmëritë e autoriteteve janë për 3.7 përqind, sikundër edhe të FMN-së.
Ndërsa për vitin e ardhshëm, të dyja palët presin një rënie të ekonomisë. Fondi vlerëson që rritja ekonomike “të ngadalësohet në rreth 2 për qind në vitin 2023, duke pasqyruar kushte financiare më të shtrënguara, ngadalësimin në Europë, dhe tërheqjen e nevojshme të politikave mbështetëse”. Edhe qeveria ka rishikuar për poshtë prarashikimet e saj në 2.6 përqind nga 3.9 që ka qenë vlerësimi fillestar. Megjithatë, sipas qeverisë, në varësi të zhvillimeve në mjedisin e jashtëm, kjo normë mund të bjerë dhe nën 2 përqind, por duke përjashtuar mundësinë e rënies në recesion.