Mediet greke kanë publikuar dëshminë e 31-vjeçares, e cila u plagos mbrëmjen e së dielës, 18 dhjetor në atentatin mafioz në Athinë që la të vdekur dy shqiptarë.
Kreshnik Çerçizaj, 41 vjeç dhe Armando Organja, 44 vjeç u vranë teksa ishin ulur në një lokal në qendër të Nea Zmirnit. Atentati ndodhi në një moment ku sheshi i Nea Zmirnit dhe lokalet atje ishin plot me njerëz, pasi orari i atentatit përkoi me ndeshjen finale të Botërorit Argjentinë-Francë.
31-vjeçarja u plagos nga plumbat qorr të agresorit, i cili qëlloi me breshëri ndaj dy shqiptarëve. E reja ishte ulur një tavolinë pas shqiptarëve, bashkë me të motrën. Ajo ka thënë për protothema.gr se është tmerruar nga ngjarja dhe se nuk ka arritur të shohë autorin, pasi ishte kthyer me kurriz nga tavolina e dy shqiptarëve.
Ndër të tjera ajo tha se ka qenë me fat që po qendronte në këmbë e nuk ishte ulur në tavolinë, pasi sipas saj nëse ajo do të ishte ulur, plumbi do ta kapte në kokë.
“Isha me motrën time në lokal, pikërisht pas tavolinës ku ishin ulur dy burrat, të cilët kanë vdekur. Ishim në këmbë dhe po flisnim me pronarin e lokalit. Isha kthyer me kurriz dhe nuk e pashë sulmuesin kur hyri. Kam dëgjuar të shtënat dhe kam parë panikun në sytë e të gjithëve. Në fillim, nuk e kuptova se isha plagosur derisa pashë gjakun. Disa sekonda para se sulmuesi të hynte në dyqan, unë dhe motra ime ndërruam vendet. Përndryshe ajo do të ishte në pozicionin tim tani dhe për fat ne ishim në këmbë, përndryshe plumbi do të më kishte goditur në kokë”, ka thënë 31-vjeçarja.
Duket se dy burrat me origjinë shqiptare, kanë pasur llogari të hapura me “qarqet” e natës. Oficerët e Policisë së Sigurisë, kanë dal në këtë përfundim duke pasur si “guidë” kryesore videon e momentit të ekzekutimit, materialin primar që kanë mbledhur nga kamerat e dyqaneve të zonës përreth, si dhe dëshmitë e para të dëshmitarëve okularë.