Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Gazmend Ngotën dhe Marjeta Karain, të akuzuar për vrasjen e 61 Menduh Kuredës në vitin 2017, duke e djegur të gjallë në Kodër Shupal. Para gjykatës e dyshuara Karaj ka mohuar krimin. Ndërkohë që djali i saj Besmir Karaj është ende në kërkim.
Marjeta Karaj, duke mohuar të ketë lidhje me vrasjen e 61-vjeçarit, ka thënë se njihej me Kurt-Dedën, por për shkak të konflikteve marrëdhënia e tyre ishte shkëputur. Ndërkohë, 56-vjeçarja nuk ka preferuar të japë detaje më të hollësishme përsa i përket konfliktit që ka pasur më viktimën. Ndërsa, i arrestuari tjetër, Gazmir Ngota, ka treguar të gjithë kronologjinë se si ka ndodhur ngjarja.
Ai ka shpjeguar se ishte vënë në dijeni për borxhin që Kurt-Deda i kishte Marjetës, nënës së shokut të tij, Besmir Karaj. Më tej, Ngota ka rrëfyer se ishte prezent që nga momenti kur Kurt-Dedën e kanë marrë me makinë në zonën e Xhamllikut. E kanë çuar në Allias, në një parking pranë shtëpisë së Besmirit dhe aty prezent shkoi edhe Marjeta. Pasi i kanë kërkuar kthimin e borxhit, Kurt-Deda fillimisht ka mohuar kthimin e shumës prej 1 milionë lekësh të reja, por pasi është rrahur nga Besmiri, u ka kërkuar kohë për të kthyer borxhin. Sipas Ngotës, me porosi të Marjetës, e kanë marrë Kurt-Dedën dhe e kanë çuar në Dajt, ku e kanë lidhur dhe djegur.
Krimi horror në Tiranë
Marjeta Karaj, Besmir Karaj dhe Gazmir Ngota janë autorët e krimit horror në Tiranë. Më 16 maj 2017, ata arritën të kontaktonin në zonën e Xhamllikut Menduh Kurt-Dedën, i cili fshihej prej kohësh për shkak të borxhit të pashlyer. Ata e morën me forcë në automjet, shkuan në zonën e Alliasit dhe ushtruan dhunë ndaj tij. Më pas, vetëm i biri i Marjetës me shokun e tij e çuan në Kodër-Shupal. Atje e rrahën sërish, e lidhën me litar, i hodhën benzinë dhe i vunë flakën. Të paktën 5 vite më parë, më 16 maj 2017, autoritetet gjetën një kufomë. Totalisht e dekompozuar, kufoma e gjetur ishte e pamundur të identifikohej se kush ishte, për shkak se ishte e djegur. Ndër vite pa asnjë të dhënë, hetimet u mbyllën, pasi asnjë familjar i personit të humbur nuk u paraqit për të hedhur dyshimet, se kufoma e bërë hi, mund të ishte e Menduh Kurt-Dedës, 61-vjeçarit me origjinë nga Sohodolli i Dibrës, por që në kohën e vrasjes jetonte në Lukovë të Sarandës. Por policia arriti ta identifikonte përmes këmbës së majtë, pasi kjo pjesë e trupit ka qenë më pak e dekompozuar. Marjeta Karaj, 56 vjeçe nga Tirana, jetonte e lirë me profilin e një bamirëseje. Ajo është drejtoreshë e qendrës “Ndihmë dhe kujdes për fëmijët jetimë të ushtarakëve, brenda dhe jashtë vendit”. Nga fotografitë në rrjete sociale shfaqet pranë Ilir Metës, aso kohe president. Më 10 qershor, ndodhen te presidenca për një event të organizuar nga shoqata OJQ për fëmijët. Ajo kishte lidhje intime me Menduh Kurt-Dedën.