Sali Berisha ka nxjerrë një tjetër variant, pse është shpallur non grata nga SHBA.

Ai thotë se kjo ka ardhur për shkak të miqësisë me Bushët.

Portali i tij ka bërë një shënim, i tërbuar pse Berisha nuk u ftua në shfaqjen e një dokumentari nga Ambasada amerikane dy ditë më parë, në të cilin ishte ftuar Meta, por jo Berisha.

Berisha shkruan në portalin e vet se ai është protagonisti kryesor në marrëdhëniet me SHBA dhe duhej ftuar.

“Sinjalet e para u dhanë në mesin e vitit të kaluar, kur ambasada e SHBA postoi një foto me rastin e 30-vjetorin e vizitës së Sekretarit të Shtetit, James Baker në Tiranë.

Në mënyrë skandaloze, ambasada kishte zgjedhur që të ‘retushonte’ historinë, duke shmangur nga fotoja protagonistin kryesor, liderin e opozitës shqiptare, Sali Berisha. Ky i fundit ishte personi që i bëri Baker ftesën për të realizuar vizitën historike.

Qytetarët reaguan me zemërim ndaj këtij retushimi të historisë, por zor se do e kishte besuar kush se censura dhe manipulimi i historisë nga ambasadorja e SHBA do bëhej kaq ekstrem në vitin pasues.

Ishte pikërisht koha kur shqiptarët do të festonin 100-vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Por këto marrëdhënie jo vetëm do eklipsoheshin nga sjellja brutale dhe antidiplomatike e ambasadores Yuri Kim, por edhe nga censura e atij soji që shqiptarët e kishin përjetuar vetëm në diktaturë.

Ky vit që duhej të ishte simbol i triumfit të lirive dhe demokracisë, u kthye në simbolin e manipulimit. Pas disa postimeve të vazhdueshme në faqen e ambasadës, të mbushura me retushime, shmangie dhe censurë, kulmi arriti para dy ditësh.

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim ishte e pranishëm në shfaqjen e një dokumentari për 100-vjetorin e marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë.

Por sërish, protagonisti kryesor i këtyre marrëdhënieve në kohën moderne, Sali Berisha, ishte censuruar.

Asnjë prej takimeve të tij me drejtuesit e lartë të SHBA, duke nisur që nga Bill dhe Hillary Clinton e deri te majtisti tjetër, Barack Obama, nuk ishte përfshirë.

Mbi të gjitha, ishin censuruar takimet e Sali Berishës me Bushët. Kujtojmë se politikanë dhe gazetarë të njohur në SHBA, kanë vlerësuar se vendimi për shpalljen non-grata të Berishës, lidhet me faktin se ai ka miqësi të ngushtë me republikanët e familjes Bush.

Takimet e Berishës me Bushin e madh dhe më pas me të birin, kanë regjistruar dy momente historike për vendin, Kosovën dhe mbarë rajonin.

Në takimin e parë të Berishës me Bushin senior, u vendos vija e kuqe për Millosheviçin për Kosovën.

Ndërkohë disa vite më vonë, në mes të Tiranës, në një vizitë të jashtëzakonshme, i biri i tij, presidenti amerikan George Ë. Bush shpalli pavarësinë e Kosovës.

Para pak ditësh, Sali Berisha foli për atë që njihet si kultura e fshirjes apo (cancel culture), që po aplikon e majta në SHBA. Berisha tha se këtë kulturë censure ne e kemi njohur prej kohësh në komunizëm.

Por që të vinte dita që shqiptarët ta njihnin edhe nga ambasadorja amerikane në Tiranë, kjo ishte e paimagjinueshme”, shkruan portali i Berishës.

Tani këta janë gallatë, se nga një anë thonë që nuk e njohin Yuri Kim si ambasadore të SHBA, nga ana tjetër ankohen pse nuk i fton në pritje e evente dhe pse nuk e përfill Berishën, ta nxjerrë në foto dhe video.

Por si mund të përfillet një non grata nga SHBA, në një pritje të Ambasadës amerikane, vetëm këta mund ta shpjegojnë!

SHBA e ka damkosuar dhe dënuar përjetësisht, ky tani thotë pse nuk më përmendin dhe mua.