Kryetari i Bashkisë i Tiranës, Erion Veliaj ka vijuar turin e takimeve me qytetarët në Njësinë 5, ku zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë, të cilëve u tregoi projektet kryesore të vitit të ardhshëm, kur Tirana do të mbajë titullin e Qytetit Europian i Sportit.
“Në vitin 2023, si Qyteti Europian i Sportit, do të kemi fokus më të madh për sportin. Unë besoj te masivizimi i sportit si kulturë jetese, prandaj duam të fuqizojmë shoqatat sportive dhe të investojmë në asete publike”, tha Veliaj. Ai shtoi se pronat publike do t’i kthehen qytetarëve, si një mënyrë për të inkurajuar çunat dhe gocat e Tiranës që të merren më shumë me sport, së pari për shëndetin, dhe pastaj edhe për forcimin e karakterit.
“E keni vënë re që, ata që nuk janë marrë kurrë me sport në politikë janë edhe më toksikët? Një njeri që është marrë me sport e kupton se jeta ka edhe fitore, edhe humbje. Kur ti shikon disa njerëz që janë humbës të këqij, apo edhe fitimtarë arrogantë, e kupton se nuk janë marrë kurrë me sport. Sporti është muskuli i mendjes, të bën të kuptosh se pa skuadër nuk bën dot përpara. Unë mund të jem i aftë, por pa këtë skuadrën time nuk organizoj dot asnjë aktivitet. Një komb që merret me sport është një komb që ka karakter”, u shpreh Veliaj. Sa i takon aseteve publike që i janë rikthyer qytetarëve në Njësinë 5, Veliaj përmendi kompleksin e pishinave, por së shpejti edhe kompleksi “Dajti” do të transformohet për publikun.