Kryetari i Bashkisë se Tiranes, Erion Veliaj ka thene se kandidati i opozitës për Tiranën eshte “Luli” i radhës i zgjedhur nga Berisha dhe Meta. Në një intervistë për emisionin “Spotlight”në Vizion Plus, Veliaj tha se ai flet me shumë politikanë të PD-së të cilët jashtë kamerave kanë tjetër sjellje.

“Unë flas me shumë kolegë të PD-së, që sa fillon dhe ndizet ajo pulla e kuqe te kamera transformohen se nuk kanë ndërmend publikun që i sheh, por vetëm një anëtar të publikut që është Saliu. Flasin vetëm që t’i pëlqejnë një anëtari të publikut. Ndërkohë, ne jemi duke bërë një emision që ta kuptojnë 99.99% e publikut, përjashto ndonjë militant që e fik sa na sheh. Kur flet me një gjuhë që adreson vetëm një anëtar të publikut, që ka një emër dhe ka një hall, që është Sali Berisha dhe non grata si hall, atëherë, qartazi je kandidati i tij, prandaj them Luli i radhës, pavarësisht se ky dhëndri ynë jashtë kamerës është çun i mirë, të gjithë janë të mirë. Kur ti flet edhe me disa nga ana tjeter që janë hiper agresiv, kur të takojnë në rrugë thonë ‘hë mo lali ç’a bëhet, si janë gjërat’. Ne të PS kemi një kod mes nesh që kush bëhet pjesë e familjes sonë nuk anatemohet, përkundrazi përqafohet dhe mikpritet. Unë besoj se është kodi i familjes shqiptare, kur ti bëhesh pjesë e asaj familje trajtohesh me respekt dhe dashamirës”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se Belind Këlliçi ka marrë përsipër që të pastrojë fytyrën e Saliut.
“Nuk kemi pasur asnjë shfokusim nga punët e Tiranës. Ka marrë përsipër të pastrojë fytyrën e Saliut, i daltë për hajër, edhe pse dyshoj fort se funksionon. Vetëm për faktin që njoh familjen dhe gjërat dua që të jetë një fushatë pozitive. Ai i instruktuar nga Saliu, flet me gjuhen krimi, droga, mafia, vrasës, kriminel dhe këto. Një refren që u bë 30 vite që e dëgjojmë. Nuk është misioni im që të përgjigjem me të njëjtën gjuhë.”, deklaroi Veliaj.