Viti 2022 numëron një sërë arritjesh për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Nga nisja e punës për ndërtimin e Bazës Ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë, nënshkrimi i kontratës së shërbimit Satelitor në fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë, janë vetëm dy nga arritjet që shënjuan këtë vit.

Me vendim qeverie, u rritën në masën 30% pagat për të gjithë ushtarakët e Forcave të Armatosura, me angazhimin në buxhetin e shtetit për një tjetër rritje gjatë vitit që vjen.

Falë bashkëpunimit të rëndësishëm dhe partneritetit startegjik me SHBA, ky vit mban rekordin e projekteve për modernizimin e FA e tre prej tyre janë: nisja e zbatimit të projektit për ngritjen dhe fuqizimin e Njësisë Ushtarake të Mbrojtjes Kibernetike, përfundimi i fazës së parë të projektit të komunikimit Tokë-Ajër-Tokë (GAG), dhe pajisja me systemin raketor antitank “Javelin” dhe atë kundërajror “Stinger“.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm për FA është edhe fakti se SHBA aktivizoi në Shqipëri Shtabin e Përparuar të Komandës së Forcave Speciale amerikane.
Së fundmi Shqipëria nënshkroi edhe marrëveshjen për shtimin e flotës ajrore me avionë luftarakë pa pilotë me kompaninë turke ‘Bayraktar’.
I suksesshëm rezultoi për Batalionin e Këmbësorisë së Lehtë ky vit, pasi u certifikua si “Combat Ready” nga NATO Grup.

Gjatë këtij viti nisi zbatimi i projektit që shndërron AFA nën modelin amerikan “West Point”, ndërsa nisi edhe viti I parë akademik në Kolegjin e Mbrojtjes.
Shqipëria vazhdon të jetë me sukses eksportuese e paqes me 7 misione jashtë vendit, duke u bashkuar rishtas në misionin e ri të NATO -s në Novo Selo, Bullgari.

Që nga nisja e agresionit rus në shkurt të 2022, Shqipëria u rreshtua në anën e paqes dhe sigurisë, duke qenë një mbështetëse aktive në nivel politik dhe ushtarak për Ukrainën.

Emergjencat civile morën një tjetër vëmendje të shtuar. Shqipëria u bë anëtare e Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, ndërsa u themelua Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile. Po ashtu u nënshkrua edhe marrëveshja e huasë me Qeverinë Italiane prej 30 milonë eurosh për fuqizimin e Sistemit të Mbrojtjes Civile. U mbështetën 13 projekte për Bashkitë për reduktimin e riskut nga fatkeqësitë natyrore.

Sporti dhe kultura morën një dimension të ri brenda FA. U krijua një strukturë e posaçme e sportistëve elitarë pranë Ministrisë së Mbrojtjes si dhe u ngrit Orkestra Sinfonike dhe kori i Forcave të Armatosura. Me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë dhe 110-vjetorit të krijimit të FA, 300 artistë nga vendet e NATO-s dhe Kosova performuan në Tiranë.