Presidenti i Federatës Kamerunase të Futbollit, mes të tjerëve ish-futbollist i Barcelonës dhe Interit, sulmoi një tifoz jashtë stadiumit “974” në Katar. Nuk ishte një Botëror i lehtë për Kamerunin, nga pikëpamja e futbollit dhe më gjerë. Formacioni i Rigobert Song, në fushë, siguroi kualifikimin në fazën e grupeve (kishte rivalë Brazilin, Zvicrën dhe Serbinë). Çështjet disiplinore eklipsuan në fakt zhvillimet në drejtkëndëshin e gjelbër.

Njëra mbi të gjitha, që ka të bëjë me André Onana, i cili u largua nga Katari dhe kombëtarja e tij më herët se sa pritej për shkak të mosmarrëveshjeve me trajnerin e tij. Në atë rast ndërhyrja e presidentit të Federatës së Futbollit të Kamerunit, Samuel Eto’o, ishte e kotë. Ai duhej të pranonte situatën dhe ta linte portierin të ikte.

Edhe për Eto’o, në realitet ishte një vit i komplikuar, jo vetëm për shkak të Kupës së Botës. Si president, atij iu desh të merrej me organizimin e Kupës së Kombeve të Afrikës në Kamerun dhe të vijonte pastaj me përgatitjet për Botërorin e Katarit. Ish-sulmuesi i Barcelonës dhe Interit, ndër të tjera, qëndroi në Doha për të ndjekur ndeshjen e 1/8 finale mes Brazilit dhe Koresë së Jugut.

Në fund të kësaj ndeshjeje, presidenti i Federatës së Futbollit të Kamerunit e humbi fjalë për fjalë kontrollin. Ambasadori i FIFA-s u “përgjua” nga një tifoz që u përpoq ta filmonte atë me një aparat fotografik, por gjesti nuk i pëlqeu aspak Eto’o.

Pas një afrimi të parë krejtësisht paqësor, ish-sulmuesi ka shpejtuar hapat e tij, duke tentuar ta godasë tifozin. Pasi dolën ballë për ballë, që nga ai moment situata degjeneroi. “Dëgjova Eto’o duke shkëmbyer fjalë me tifozin me tone të larta, më pas filloi ta ndiqte, duke humbur kontrollin. Tifozit iu rrëmbye kamera dhe ky është momenti ku Eto’o gaboi. Në vend që të largohej, ai e goditi me shkelm tifozin”, – thotë Ricardo Lopez Juarez, gazetar i “La Opinion”, i cili ka folur për “El Larguero”.

Pavarësisht ndërhyrjes së disa të pranishmëve, që synonin t’i ndanin të dy dhe të mbanin Eto’o, ai vazhdoi të sulmonte tifozin, duke e goditur me shkelma në kokë. Më pas ka shkuar drejt gazetarit Lopez Juarez duke e kërcënuar.

“E pyeta se çfarë ndodhi, por ai nuk mundi të thoshte asnjë fjalë, më pas e morën”, – shtoi gazetari. Një skenë e shëmtuar që është në kontrast me atë që Eto’o tregonte gjithmonë, brenda dhe jashtë fushës, i cili jetoi një vit shumë, shumë intensiv si president i Federatës së Futbollit të Kamerunit.