‘Atentat’ e kanë cilësuar eksponentët më kryesorë të opozitës goditjen e Sali Berishës në protestën e 6 dhjetorit nga një 31-vjeçar i cili kurohet për probleme të shëndetit mendor. Madje për këtë atentat akuzojnë Qeverinë si organizatore të dhunës.
Por në fakt që ditën e sulmit e gjithë Qeveria por edhe institucionet e tjera të shtetit si Presidenca apo Kuvendi e dënuan njëzëri dhunën, ndryshe nga ç’bën në fakt gjithmonë Sali Berisha. Asnjëherë ai nuk është distancuar nga dhuna, e ushtruar nga zyrtarë të partisë së tij, sicc është rasti i mëposhtëm, i cili është kapur në një video ekskluzive të Report Tv.
Kamera e Report TV ka fiksuar momentin e një incidenti ku janë përfshirë dy zyrtarë të lartë të PD para pak kohësh dhe një qytetarë i moshuar. Ish-deputeti PD, Fatbardh Kadilli dhe ish-zv/ministri Enno Bozdo kanë qenë duke ecur në rrugën e njohur si Pedonalja në afërsi të Kuvendit. Siç shihet nga pamjet e fiksuara ekskluzivisht nga kamera e Report TV atyre i është afruar një person i cili ka nisur të ulërasë. Enno Bozdo ka tentuar ta qetësojë duke bashkëbiseduar por ka dështuar ta bindë atë. Situata është agravuar deri aty sa një moment Fatbardh Kadilli i ka kërkuar të ndërpresë sharjet.
Por debati dhe ulërimat prej qytetarit kanë vijuar çka ka sjellë një reagim të fortë nga Fatbardh Kadilli i cili fillimisht e godet me këmbë e më pas me grusht. Enno Bozdo ka tentuar të shuaj sherrin duke shtyrë qytetarin. Një tjetër person aty pranë ka ndërhyrë për ta shuar sherrin e larguar Kadillin nga vendi konfliktit.
Ngjarja ka ndodhur më parë, por të dy ata, as u hetuan e as u arrestuan. Dhe sigurisht Berisha nuk denjoi të distancohej.