Partizani është mjaftuar me golin e Xhuliano Skukës në derbi, për të mposhtur 0-1 Tiranën në Air Albania, në sfidën e kampionatit. Ndeshja do niste shumë mirë për të kuqtë, të cilët do merrnin avantazhin shumë shpejt. Krosimi i Buxhelajt nuk do mund të kontrollohej dot nga Aleksi, aty u gjend Skuka, i cili realizoi pasi nuk fal në raste të tillë.
Pas 30 minutash lojë, sërish Skuka protagonist, por këtë herë gjen përgjigjen e Bekajt. Pjesa e dytë e ndeshjes fillon në kohë vonesë, pasi ndërsa skuadrat ishin në dhomat e zhveshjes, tifozët në tribuna luanin ndeshjen e tyre dhe fishekzjarret e shumta e bënë të pamundur vijimin normal të sfidës.
Hadroji në minutën e 74-të shpëton ekipin nga një gol i sigurt, pasi Ismajlgeci ishte gati për të barazuar shifrat për bardheblutë, pas një topi të ardhur nga krahët.
Asnjë ndryshim rezultati deri në fund, skuadra e Colellas merr kështu 3 pikë të arta dhe shkon në kuotën e 29 të tillave në vendin e parë, e ndjekur nga Tirana me 4 pikë më pak.