Nga Dritan Hila/

Viti 2022 do të mbahet mend si viti më i zi i opozitës. As viti ‘97 nuk ka të krahasuar me vitin që po ikën.

Fillimi i tij me sulmin nga fraksioni i Berishës mbi selinë e PD ishte një shfaqje e shëmtuar. Njeriu që kishte sulmuar çdo institucion me molotov, nuk la pa sulmuar edhe godinën e partisë së tij, që vetë ia dha përpara se të largohej nga pushteti, me shpresë ndoshta që partia të bëhej aq e madhe sa ta meritonte atë godinë. Por në fakt nëma e ish-shtëpisë së ushtarakëve e bëri që të shfaqej me sulme mesjetare në shekullin XXI.

8 janari nuk ishte thjesht një sulm brenda PD. Ai aksion i largoi llokmat e fundit të ndjekësve normalë fraksionit të Berishës. Njerëz normalë që nuk durojnë dot sjellje banditësh; votues që mendojnë se këto radhë sulmuesish do jenë nesër në zyrat e shtetit; antiberishistë që ishin në dilemë nëse mund t’i jepej edhe një shans njeriut që pretendonte se kishte fituar zakonet e qengjit; të djathtë që e kishin pranuar ish-komunistin vetëm se ky i kishte sjellë në pushtet, të gjithë këta e mbyllën me Berishën. Janari shënoi edhe tkurrjen e fundit të elektoratit të PD.

Në krahun tjetër edhe kupola drejtuese e fraksionit Alibeaj, nuk ka asnjë dëshirë të bashkohet. Ata po formojnë një identitet por mbi të gjitha nuk kanë dëshirë që të bëhen të dytët në qytet kur janë shumë mirë të parët në fshat.

Viti 2022 bitisi ashtu si nisi: Me sherr e gati grushte në seancën e fundit parlamentare, si për të vërtetuar edhe një herë që PD tashmë nuk ekziston pasi është shqyer në bazë dhe kupolë. Në vitet që vijnë do të duhet të formohet një opozitë e re, por kjo do të dojë kohë, pasi ai që merr vesh nga politika, Berisha, nuk ka kohë, ndërsa ata që kanë kohë, nuk kanë mend. (Dritare.net)