Dita Kombëtare e Diasporës, solli në Tiranë këtë të diel koordinatorët shqiptarë nëpër botë, në Evropë e SHBA, që përfaqësojnë të emigruarit e vendit. Në një tryezë të gjerë, me pjesëmarrje dhe të kryeministrit Rama, Këshilli Koordinues i Diasporës dhe ministra të qeverisë, diskutuan për urat lidhëse mes atyre që jetojnë brenda vendit, dhe atyre që jetojnë jashtë vendit.

Lavdrim Krashi, kryetar i Nënkomisionit për Diasporën dhe Emigracionin, për ABC News theksoi jo pak herë detyrimin kushtetues, për plotësimin e boshllëkut ligjor. Viti 2025 nuk duhet të ketë më diskutim dhe në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare, duhet që jetë e reflektuar dhe vota e emigrantëve.

“E para është mundësia e votimit që qytetarët shqiptarë të kenë mundësi sepse të drejtën e jep kushtetuta. Çdo qytetar shqiptar ka të drejtën e votës. Problemi është që në mënyrë që ata të ushtrojnë të drejtën e tyre, duhet që sot, në kushtet e tanishme, të vijnë në Shqipëri për të votuar.”, tha Krashi.

Kjo ishte mbledhja e dytë që bëri Këshilli Koordinues i Diasporës. Kryeministri Rama propozoi që mbledhja e ardhshme të bëhet pas disa muajsh, me pjesëmarrje dhe të përfaqësuesve nga Kosova e Maqedonia e Veriut. Partia Demokratike reagoi për Ditën Kombëtare të Diasporës nëpërmjet Sekretarit për Emigracionin dhe Diasporën, Indrit Hoxha. /abcnews.al