Të mërkurën rreth orës 18:00 u vra një grua shtatzënë në oborrin e Klinikës Gjinekologjike në Prishtinë, ndërsa edhe pas 40 orëve i dyshuari, ish bashkëshorti i saj Sokol Halili është në arrati.

Policia e Kosovës deri tani ka gjetur veturën me të cilën ka lëvizur i dyshuari dhe pasi ka kryer hetimet, e ka kthyer veturën në oborrin e shtëpisë së Sokol Halilit, ndërkaq ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për arrestimin e të dyshuarit.

Familjarët e të ndjerës kanë treguar se viktima dhe dorasi kanë qenë të ndarë që pesë muaj. Motra e viktimës ka bërë të ditur se autoritetet kanë qenë të njoftuara për problemet e viktimës me ish-bashkëshortin.

Gjykata Themelore e Ferizajt përmes një njoftimi për media ka konfirmuar se ka pasur urdhër-mbrojtje ndaj 35 vjeçares e cila u vra mbrëmë në oborrin e QKUK-së.

Në njoftim thuhet se kërkesa për lëshimin e urdhrit mbrojtës ishte bërë me datë 08 shtator 2022.

“Të nderuar përfaqësues të mediave, lidhur me rastin që ka ndodhur mbrëmë me datë 30.11.2022, në oborrin e QKUK-së, ku i dyshuari S.H. dyshohet se ka privuar nga jeta tani të ndjerën gruan shtatzënë H.M, lidhur me këtë ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në bazë të dhënave nga Sistemi Informativ për Menaxhimin e Lëndëve SMIL, janë të evidentuar këto të dhëna. Me datë 08.09.2022, nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë e Viktimave në Ferizaj, është paraqitur kërkesë për lëshimin e urdhrit mbrojtës ndaj palës përgjegjëse S.H. sipas nenit 13 dhe 14 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje”, thuhet në njoftim.