Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, në fjalimin e saj të fundit për vitin 2022 e konsideroi 365-ditëshin që po lëmë pas si “të suksesshëm për diplomacinë shqiptare”.

Kryediplomatja shqiptare shprehu urimet për një vit të ri sa më të mbarë e më të begatë për të gjithë shqiptarët.

“Ky vit u hap me marrjen për herë të parë pas 65 vjetësh të mandatit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Në korrik, u hapën negociatat për anëtarësim me BE-në duke e çuar procesin e integrimit në një stad tjetër.

Viti u mbyll me mbajtjen e Samitit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, hera e parë që ky samit mbahet në një vend jo anëtar të BE, çka përbën një vlerësim të jashtëzakonshëm të vendit tonë”, u shpreh zyrtarja shqiptare.

Sipas saj, të gjitha këto janë dëshmi të transformimit të madh që ka pësuar Shqipëria duke u kthyer në një vend, që “gëzon respektin e partnerëve e aleatëve”.

Kryediplomatja shqiptare theksoi se viti 2022 ka pasur arritje të paprecedenta, teksa vërejti se “kemi arsye të ndjehemi krenarë dhe ta presim plot me optimizëm vitin e ri që po vjen”.