Ministrja e Jashtme e Shqipërisë Olta Xhaçka ka zhvilluar një takim me homologun e saj grek Nikos Dendias. Gjatë këtij takimi është zhvilluar një diskutim konstruktiv për të gjitha aspektet e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi. Xhaçka i shpreh mirënjohjen Dendias për rolin e tij në thellimin dhe zgjerimin e partneritetit midis dy vendeve dhe e falenderon për mbështetjen për integrimin e Shqipërisë në BE. Sipas ministres, gjatë takimit është ndarë i njëjti vizion për të ardhmen dhe marrëdhënien mes dy vendeve, për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive për të mirën e popullit dhe të rajonit.
‘Kënaqësi të takoja homologun tim Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias. Patëm një diskutim konstruktiv për të gjitha aspektet e marrëdhënieve tona Shqipëri-Greqi. Mirënjohje Ministrit Dendias për rolin e tij në thellimin dhe zgjerimin e partneritetit midis dy vendeve tona dhe mbështetjen për integrimin e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE. Ndamë të njëjtin vizion dhe dëshirë për të ardhmen e marrëdhënieve tona dhe të rajonit në tërësi dhe jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë së bashku në gjetjen e mënyrave të reja për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive për të mirën e popullit tonë dhe të rajonit. ‘- u shpreh Xhaçka.
Takimi ndërmjet dy ministrave e kanë zbardhur edhe mediat greke, ku bëjnë të ditur se Nikos Dendias i ka kërkuar ministres Xhaçka, të shqyrtojë mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje që do t’i referojë përcaktimit të zonave ekskluzive ekonomike të Greqisë dhe Shqipërisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Por në deklaratën e ministres Xhaçka nuk përmendet një diskutim për marrëveshjen e detit.