Zbulohen dëshmitë dhe faktet se si i’a dorëzoi Serbia Dick Marty-t dosjet kundër UÇK-së në Stacionin e Trenit të Zyrihut, Balla: Aleanca e rublave Berisha-Meta, për turpin dhe tradhëtinë e tyre epike, e votuan PRO
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka publikuar sot në rrjetet sociale një video ku siç shkruan Balla, zbulohen dëshmitë dhe faktet se si i’a dorëzoi Serbia Dick Marty-t dosjet kundër UÇK-së në Stacionin e Trenit të Zyrihut.
Balla nënvizon se aleanca e rublave Berisha-Meta e votuan PRO Rezolutën e hartuar mbi këtë raport, duke treguar kështu tradhëtinë e tyre përmes atij votimi.
“Më 25 Janar 2011, aleanca e rublave Berisha-Meta, për turpin dhe tradhëtinë e tyre epike, e votuan PRO Rezolutën e hartuar mbi këtë raport të shkruar siç konfirmohet në Beograd, me sponsorizimin e Kremlinit qysh nga viti 2008”, shkruan Balla.
Postimi i plotë i Taulant Ballës:
Në Stacionin e Trenit në Zyrih të Zvicrës, në kthinën e një restoranti, në vitin 2009, Dick Marty kishte pranuar nga përfaqësues të shtetit serb dosjet e para kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishin 1000 faqe, të paketuara në një folder blu, dhe të përgatitura nga Prokuroria Serbe për Krime Lufte, që iu dorëzuan në dorë senatorit zviceran, thotë në dëshminë e tij ish-ambasadori serb në Zvicër, Milan Protic.
Një vit më vonë, më 2010, Marty publikoi raportin e tij për trafikim organesh, me të cilin akuzoi pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe që si reaksion zinxhir çoi në themelimin e Gjykatës Speciale, e më pas edhe në arrestimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit, dhe të tjerëve.
Më 25 Janar 2011, aleanca e rublave Berisha-Meta, për turpin dhe tradhëtinë e tyre epike, e votuan PRO Rezolutën e hartuar mbi këtë raport të shkruar siç konfirmohet në Beograd, me sponsorizimin e Kremlinit qysh nga viti 2008.
https://fb.watch/hqRJ98maJw/?mibextid=qC1gEa