Ditën e sotme do të zgjidhet kreu i ri i SPAK, mes tre kandidatëve Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.
Pasi Xholi paraqiti programin e tij para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, është Dumani ai që filloi prezantimin.
Në hyrje të fjalës së tij Dumani tha se nuk ka konflikt interesi me asnjë nga anëtarët e KLP-së. Ai u shpreh më tej se është shumë i motivuar për të garuar për kreun e SPAK.
“Suksesi varet nga bashkëpunimi instutucional, puna në grup dhe integriteti personal i anëtarve të SPAK. Sa herë me është dashur të angazhohem në gara është e vështirë, sepse ne jemi mësuar të përfaqësojmë akuzën dhe jemi të kursyer kur flasim. Kam një eksperiencë të gjatë në radhët e prokurorisë. Iu përgjigja thirrjes për t’u bërë pjesë e garës ndërsa prej tre vitesh jam anëtër i SPAK. E kam parë si mision punën në SPAK dhe është shumë i vështirë”, tha Dumani.
Ai tha gjithashtu se ka ndjekur penalisht vepra me natyrë korruptive, duke çuar në gjykim gjyqtarë dhe prokurorë, apo drejtues të ndryshëm institucionesh.