Kryeministri Edi Rama u shpreh këtë të diel se Partia Socialiste i ka nisur përgatitjet për zgjedhjet që të nesërmen e zgjedhjeve të kaluara. Ai u shpreh se forca politike që ai drejton është më e organizuara. Të tjerët tha se janë shumë larg Partisë Socialiste.
“Unë nuk e di cila parti po përgatitet fort, por di që është herët për të marrë vesh se kush është kush në anën tjetër ose në anët e tjera. Dhe nga ana tjetër di që përgatitjet tona për zgjedhjet e ardhshme kanë filluar të nesërmen e zgjedhjeve të shkuara si gjithmonë.
Falë edhe sistemit gjithmonë e më të hekurt të patronazhistëve ne jemi të pathyeshëm. Kështu që këto janë zgjedhje me një rëndësi të veçantë. I kemi dhënë shumë rëndësi. E kemi bërë këtë punë me kohë. Ju jeni dëshmitarë sepse keni qenë tek dera e selisë së PS-së kohë më parë, kur ne e kemi filluar këtë proces. Dhe ne jemi një forcë padiskutim më e organizuara në politikën shqiptare. Përsosim në çdo zgjedhje organizimin tonë. Dhe jemi një makineri që nuk thyhet. Të tjerët, i duartrokasim në të gjitha përpjekjet që bëjnë për t’u përmirësuar, por janë shumë larg nesh. Ne e paguajmë këtë me akuzat që vijojnë, jo na i vodhët, jo na i grabitët, jo dërr, dërr dërr. Në fakt jo. Ne zgjedhjet veçse i fitojmë. Marrim atë që na takon nga zgjedhësit”, u shpreh Rama.