Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, njëkohësisht dhe Kryetar i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka uruar nga Apolonia e Fierit, 31-vjetorin e Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë.
Balla në fjalën e tij drejtuar të rinjve u shpreh se cilido që zgjedh të japë kontributin e vet për Shqipërinë duke u angazhuar në politikë duhet të zgjedhë Partinë Socialiste pasi është e vetmja forcë politike që ka qenë gjithmonë në krahun e duhur të historisë si dhe është gjithnjë pranë njerëzve në nevojë.
“Së pari e nis fjalën duke uruar 31 vjetorin eForumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë. Të rinjtë e FRESSH të qarkut Fier kanë qenë dhe mbeten forca dhe fuqia e vërtetë e FRESSH-it dhe e Partisë Socialiste. Jo pa arsye qarku Fierit është kryeqendra e socialistëve dhe detyra jonë është që të vazhdojmë ta mbajmë Fierin kryeqytetin e Socialistëve. Kush zgjedh të japë kontributin e vet për Shqipërinë duke u angazhuar në politikë duhet të zgjedhë Partinë Socialiste. Kush vendos që të bëhet pjesë e vendimmarrjes, kushdo që do të ndryshojë qytetin e vet duhet të zgjedhë Partinë Socialiste. Ju them që të zgjidhni Partinë Socialiste sepse është e vetmja forcë politike që gjatë gjithë këtyre viteve nuk ka çeduar kurrë interesin kombëtar. Partia Socialiste ka qenë gjithmonë në krahun e duhur të historisë. Në asnjë moment të këtyre 32 viteve nuk e gjeni dot këtë forcë politike në dëm të interesave të vendit.
Ftojmë çdo të ri dhe çdo të re të qarkut Fier të bëhet pjesë e Partisë Socialiste. Ju të rinjtë duhet të jeni gjithnjë fitues dhe ka vetëm një forcë politike që është gjithnjë fituese dhe ajo është Partia Socialiste, sepse është një forcë politike që është gjithnjë më pranë njerëzve në nevojë”, tha Balla.