Forumi Rinor Eurosocialist i Shqipërisë kremtoi sot 31-vjetorin e themelimit të tij në një festë rinore në Pallatin e Kongreseve. Në këtë përvjetor, përpara mijëra të rinjve pjesë të strukturës rinore të Partisë Socialiste, por edhe shumë prej atyre që kanë kontribuuar ndër vite për këtë forum, mbajti një fjalë përshëndetëse drejtuesi politik për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj.
Duke uruar ditëlindjen e FRESSH-it, Veliaj tha se e ardhmja e familjes së madhe të socialistëve është Forumi Rinor Eurosocialist i Shqipërisë.
“Sot jam shumë krenar, jo vetëm për ata që themeluan FRESSH-in 31 vite më parë, por jam super mirënjohës për ata që, ndoshta 31 vite më parë nuk kishin lindur akoma, por sot janë pjesë e kësaj energjie të bukur, që është organizata jonë, familja jonë, që drejtohet nga Edi Rama. Familja është Partia Socialiste e Shqipërisë dhe e ardhmja e kësaj familjeje është Forumi Rinor Eurosocialist i Shqipërisë, të rinjtë europianë socialistë, kjo është motoja jonë!”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se 1/3 e Këshillit Bashkiak të Tiranës përbëhet nga çunat e gocat e FRESSH-it.
“Kur dëgjoja kolegët këtu, pyeta veten, pse jemi ndryshe nga të tjerët? Ne nuk jemi nga ata që i mbajnë mikrofonin liderit, që ky të bëjë video në Tik Tok. Ne nuk i kemi aktivistët tanë për të djegur selinë e partisë së tyre, siç bën një parti tjetër. Para një jave, edhe ata kishin përvjetorin e djegies së selisë. Aktivistët tanë nuk bëjnë konspiracione se iu nxehet telefoni dhe mendojnë se i përgjojnë, nuk vuajnë nga komplekse të tilla, nuk djegin shtëpinë e tyre, nuk janë aty si sfond për udhëheqësat, por janë me fuqi reale, me votë reale në forumet ku merren vendimet për qytetet tona,” u shpreh Veliaj.
Ai tha se anazhimi i PS-së në Qarkun e Tiranës është të kandidojë të rinj në çdo Këshill Bashkiak, në mënyrë që të jenë ata që i marrin vendimet. Veliaj tha se, pas 4 muajsh, PS-ja do të gdhihet fitimtare në secilën prej bashkive të qarkut më të madh në vend.