Shqetësimet e Bashkimit Evropian për reduktime të rrymës – si pasojë e zvogëlimit të eksporteve ruse pas shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë – janë ulur falë fatit të mirë, motit jo të ftohtë dhe veprimeve të shpejta. Moti i mirë i tetorit dhe nëntorit, i ka mundësuar Bashkimit Evropian që të kursejë më shumë energji për muajt e dimrit.
Ndërkohë rënia e kërkesës për energji në Kinë, si pasojë e kufizimeve të vëna për shkak të pandemisë së koronavirusit, ka mundësuar që sasi të mëdha të gazit të lëngshëm natyror, të destinuara për në Azi, të marrin drejtim drejt bllokut evropian.
Rol kanë luajtur edhe thirrjet e zyrtarëve evropianë për të zvogëluar konsumin, për të përmirësuar efiçencën dhe për të zgjeruar alternativat e furnizimit me energji.
Mirëpo fatit nuk i dihet. Analistët besojnë se një rikthim i motit të ftohtë, në kombinim me mungesë të eksporteve të gazit nga Rusia, mund ta lë Evropën pa furnizime të mjaftueshme dhe ta përballë atë me çmime tejet të larta.
“Nëse importet përmes gazsjellësve nga Rusia për në Bashkimin Evropian bien në zero më 2023, dhe nëse Kina sërish do të ketë nevojë për gaz të lëngshëm natyror, sikurse në kohën para pandemisë, atëherë Bashkimi Evropian do të përballet me krizë serioze të furnizimit”, ka thënë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë një një raport të publikuar më 12 dhjetor.
“Thënë shkurt, nuk ekzistojnë shumë parashikime të mira për Evropën”, ka thënë Agathe Demarais, udhëheqëse në Economist Intelligence në një kolumnë të publikuar në Politico në muajin nëntor, duke shtuar se situata mund të përkeqësohet dimrin e ardhshëm.
Megjithatë në periudhë afatgjatë, Rusia nuk mund ta fitojë këtë luftë të energjisë”, ka shkruar ajo.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka vlerësuar se deficiti i gazit në BE më 2023 mund të shkojë në 57 miliardë metra kub, apo rreth 15 për qind e kërkesës së parashikuar, ani pse është thënë se masat që janë duke u zbatuar aktualisht – sikurse projektet e reja solare dhe ato të erës – mund të ulin mungesën në 27 miliardë metra kub.
Bashkimi Evropian mund ta mbulojë këtë mungesë nëse investon edhe 100 miliardë euro shtesë në zgjerim të projekteve në fushën e energjisë dhe avokon në energji efiçente, ka thënë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.
Në BE, gazi natyror përdoret kryesisht për të ngrohur shtëpitë dhe ndërtesat, për të aktivizuar fabrikat si dhe për procese tjera industriale siç është prodhimi i plehrave.
Mungesa e energjisë do të mund të ndikojë në rritje të madhe të çmimit të energjisë në BE, duke nxitur kështu vështirësi në shumë procese të përditshmërisë. Disa shtete veçse kanë krijuar plane në rast se do të ketë krizë të energjisë. Shumë gjëra varen në atë që bën ose jo Kremlini.
Nga 60 në 0
Rusia ka qenë furnizuesja më e madhe e Bashkimit Evropian me gaz natyror, duke mbuluar rreth 40 për qind të nevojave të bllokut më 2021.
Këtë fuqi e ka përdorur Kremlini, pas nisjes së luftës në Ukrainë më 24 shkurt.
Përmes uljes së furnizimeve, Rusia ka tentuar të përçajë unitetin e Perëndimit në mbështetjen që i ka ofruar Ukrainës, pas nisjes së luftës.
Eksportet e gazit natyror rus në BE besohet se do të zvogëlohen për gati 60 miliardë metra kub më 2023 në krahasim me 140 miliardë metra kub vitin e kaluar dhe gati 200 miliardë metra kub në nivelet para pandemisë së koronavirusit.
Pavarësisht se marrëdhëniet në mes të Moskës dhe Perëndimit janë më të këqijat në dekada, Rusia ende furnizon BE-në me gaz përmes gazsjellësve që kalojnë nëpër Ukrainë dhe Turqi.
Megjithatë, sipas ekspertëve, eksportet mund të zvogëlohen edhe më shumë sesa tani, apo edhe të ndalen tërësisht më 2023, duke detyruar Evropën që të gjurmojë për gaz, në një botë me opsione të limituara.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Rusia është duke furnizuar BE-në me rreth 25 miliardë metra kub gaz dhe dy të tretat e kësaj sasie kalojnë përmes Ukrainës, ku janë duke u zhvilluar luftime të ashpra.
“Besoj se ekziston rreziku që në gazsjellësin ukrainas të ndodhë dëm aksidental apo i qëllimshëm”, ka thënë Nadia Kazakova, analiste në organizatën Renaissance Energy Advisors me seli në Londër.
Ajo i ka thënë Radios Evropa e Lirë se eksportet ruse përmes Turqisë do të vazhdojnë, derisa Kremlini të vërtetojë se një ndalje e plotë e gazit në BE i përshtatet në aspektin ekonomik dhe atë ushtarak.
Chris Weafer, ekspert i energjisë në organizatën Macro Advisory me bazë në Moskë, ka thënë se nuk pret që Moska të ndalë më shumë furnizimet në Evropë, sepse ka nevojë për para dhe nuk mund të shesë menjëherë gaz diku tjetër për shkak të infrastrukturës.
Rusia ka përfituar nga rritja e çmimeve të energjisë më 2022, ndonëse pjesa më e madhe ka shkuar në financim të luftës në Ukrainë, të cilës nuk po i shihet fundi.
Për më shumë, parashikimet për të hyrat nga eksportet e gazit rus më 2023 nuk duken aq mirë. Naftës, njërës prej burimeve që Rusia eksporton më shumë, i ka rënë vlera nga 130 dollarë në mars në vetëm 80 dollarë muajve të fundit. Por Moska është e detyruar të zbresë çmimin e naftës për shkak të sanksioneve që i ka vënë Perëndimi.
Ndryshim në matematika
Eksportet e naftës dhe produkteve të rafinuara ia kanë siguruar Rusisë rreth 34 për qind të buxhetit federal më 2022 dhe vetëm gazi e ka mbuluar 10 për qind të kësaj shifre, sipas Elina Ribakovas, ekonomiste në Insitutin International Finance me bazë në Uashington.
Rusia “do të ketë nevojë që të paktën të sigurojë nivelet e eksportit të këtij viti për të mbajtur deficitin buxhetor sa më të vogël”, ka thënë Weafer për Radion Evropa e Lirë.
Mirëpo të dy anët nuk janë në situatë të mirë, të paktën tani për tani.
Evropa dhe Rusia “kanë arritur të zvogëlojnë gazin ndaj njëra-tjetrës këtë vit, mirëpo nivelet janë në shkallë kritike”, ka thënë Weafer.
“Asnjëra nuk mund të përballojë që nivelet e furnizimit me gaz rus në Evropë të zvogëlohen edhe më shumë më 2023 dhe 2024”.
Në fakt, BE-ja ka importuar më shumë gaz të lëngshëm natyror të Rusisë më 2022 sesa në vitin paraprak, teksa ka tentuar të gjejë alternativa për gazin rus që e siguron përmes gazsjellësve.
“Gazi i lëngshëm natyror i Rusisë është politikisht më i pranueshëm në Evropë, ia mundëson Brukselit të thotë se ka më shumë opsione dhe nuk është e bllokuar me rrezikun rus. Por, realiteti nuk është aq i pastër”, ka thënë Weafer.
BE-ja e ka mbuluar pjesën më të madhe të gazit rus duke importuar më shumë gaz të lëngshëm natyror nga Shtetet e Bashkuara dhe Lindja e Mesme, si dhe duke rikthyer përdorimin e thëngjillit.
Gara me Kinën për gazin e lëngshëm natyror
Për të ulur varësinë ndaj gazit rus, BE-ja ka importuar rreth 50 miliardë metra kub të gazit të lëngshëm natyror më 2022.
Diçka e tillë do të ishte shumë e vështirë nëse Kina nuk do të mbyllte ekonominë për të luftuar pandeminë e koronavirusit. Në periudhën 2016-2021, Kina ka trefishuar blerjet e gazit të lëngshëm natyror, duke e kthyer këtë shtet në importuesin më të madh të këtij burimi të energjisë.
Ka pasur parashikime që Kina do të importonte edhe më shumë gaz të lëngshëm natyror më 2022, mirëpo izolimet e kanë bërë punën e vet dhe pjesa më e madhe e këtij gazi është drejtuar kah BE-ja. Mirëpo Evropa mund të mos jetë kaq me fat më 2023. Kina është duke hequr kufizimet për luftim të pandemisë dhe kërkesa për gaz të lëngshëm natyror mund t’iu rikthehet niveleve të vitit 2021, çka mund të nxisë garën me Evropën sa u përket furnizimeve.
“Ka mundësi që Evropa të përballet me vështirësi në sigurim të sasisë së mjaftueshme të gazit të lëngshëm natyror ashtu që të ketë rezerva për dimrin e ardhshëm”, ka thënë Carlos Diaz, analist në Institutin Rystan Energy me bazë në Oslo, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Për të përkeqësuar situatën, më 2023 nuk pritet të ndërtohen gazsjellës jorusë, ka thënë Diaz.
Norvegjia, Azerbajxhani dhe shtetet e Afrikës Veriore – eksportuesit kyçë të gazit në BE – janë duke vepruar me kapacitete të njëjta sikurse në të kaluarën. As Shtetet e Bashkuara dhe Katari nuk pritet të lansojnë projekte të reja për eksport të gazit të lëngshëm natyror në dy vjetët e ardhshëm.
BE-ja mund të mos ketë nevojë për sasi të gazit të lëngshëm natyror që i duhen tani për shkak të rritjes së prodhimit të energjisë nga hidrocentralet, ndonëse shpresat për energji bërthamore mund të mos materializohen asnjëherë, ka thënë Diaz.
Sipas tij, konsumi në BE varet shumë nga moti, prandaj sesa e vështirë do të jetë situata, varet kryesisht nga ajo sesa i ftohtë do të jetë dimri.
BE-ja ka pasur rezerva të mëdha të gazit natyror në dhjetor, falë një vjeshte me mot të ngrohtë të pazakonshëm, ndonëse disa ditë të ftohta afër fundvitit i kanë ndryshuar matematikat. Sa më shumë që do të zvogëlohen rezervat në pranverë, aq më shumë do të pritet presioni që BE-ja të bëjë përgatitjet për dimrin 2023-24, ka thënë ai.
“Vetëvrasje me gaz”
Megjithatë, analistët besojnë se ndonëse BE-ja mund të vuajë në periudhë afatshkurtër nga përkeqësimi i marrëdhënieve Bruksel – Moskë, si pasojë e luftës në Ukrainë, është Moska ajo që do të humbë në periudhë afatgjatë.
“Shantazhi i Moskës i ka bindur të gjitha vendet e BE-së që Moska nuk është furnizuese e qëndrueshme e energjisë”, ka shkruar Demarais.
Teksa Evropa tenton të lirohet nga varësia prej Moskës, “duket se brenda tre vjetëve Evropa nuk do të ketë më nevojë për gazin dhe naftën ruse”.
Ky ndryshim i madh ka qenë pak i parashikuar para se presidenti rus, Vladimir Putin të niste luftën në Ukrainë, dhe pas shumë vjetëve tensione mes Moskës dhe Perëndimit.
“Biznesi me gaz rus në Evropë është gjithçka përveçse i vdekur”, ka thënë Thane Gustafson, profesor në Universitetin Georgetoën dhe autor I shumë librave për industrinë ruse të energjisë.
Rusia ka eksportuar gaz në Evropë prej viteve 1960 dhe marrëdhënia mes tyre i ka mbijetuar edhe Luftës së Ftohtë, edhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik më 1991, dhe krizave pasuese.
Në fillim të viteve 2000, pozicioni i Rusisë si furnizuese lidere e gazit natyror në Evropë është dukur i konsoliduar për dekadat në ardhje.
Putin, i cili ka fituar pushtetin në fund të vitit 1999, është pajtuar atëbotë për investim të mbi 200 miliardë dollarëve për të zhvilluar projekte të reja të gazit natyror në Gadishullin Yamal në pjesën e largët veriore, në mënyrë që të rrisë eksportet në Evropë.
Për të shitur gazin duke shmangur transitin nëpër Ukrainë, ai ka urdhëruar ndërtimin e shumë gazsjellësve tjerë, përfshirë Rrjedhën Veriore 1 dhe 2 drejt Gjermanisë, si dhe TurkStream në Turqi.
Këto investime i kanë ndihmuar Rusisë të gjenerojë të hyra në mbi 50 miliardë dollarë viteve të fundit.
Gustafson ka thënë se parashikimet kanë qenë që kërkesa për gazin rus në Evropë të rritet në dekadën e ardhshme, mirëpo vendimi i Putinit për të pushtuar Ukrainën dhe ndalja e furnizimeve me gaz në Evropë, e kanë thyer besimin e BE-së për Kremlinin “për një gjeneratë”.
Lufta i ka përshpejtuar planet e BE-së për alternativa më të pastra të energjisë, dhe ka mundësi që brenda pjesë vjetëve, Turqia të mbetet “blerësja e vetme” e gazit rus në Evropë, ka thënë ai.
“Rezultati final është i qartë… Putin jo vetëm që ka kryer vetëvrasje me gaz”, ka shkruar Gustafson.
“Ai e ka mbytur gjysmë shekullin e fundit të marrëdhënieve me atë vendim”