Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrpusionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e marrë nga GJKKO në 25 nëntor ku lihej në fuqi masa e arrestit me burg për ish ministrin e Mjedisit, Lefter Kokën pavarësisht se ky i fundit kërkoi ndryshim për shkak të gjendjes shëndetësore.

Gjykata e Posaçme i dha të drejtë Kokës që përveç vizitave mjekësore në ambientet e paraburgimit, të ketë mundësi për trajtim në QSUT dhe në qendra të posaçme.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Dhimitër Lara, sot më datë 05.01.2023, zhvilloi seancë gjyqësore për çështjen penale nr. 10/214 akti, datë 28.12.2022 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim L.K., ndaj vendimit nr. 297 akti, datë 25.11.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt “Zëvendësimi i masës së sigurimit personal” dhe vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 297 akti, datë 25.11.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”-thuhet nw vendimin e publikuar.

Lefter Koka është me dy masa sigurie “arrest në burg” për dy inceneratorë, atë të Elbasanit dhe të Fierit. Aktualisht, në pritje të përfundimit të hetimeve, është në paraburgimin e Durrësit, në të njëjtën dhomë më Alqi Bllakon, ish-deputetin e PS, i cili akuzohet po ashtu për të dy inceneratorët.

SPAK e akuzon Lefter Kokën për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion, tre akuza të rënda me të cilat ish-ministri tashmë do nisë betejën e tij me drejtësinë, teksa janë sekuestruar edhe kompanitë “Albtek Energy”, pra inceneratori i Elbasanit, “Integrated Technology Services” si edhe aksionet e Kokës në “Kantinën e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu”. Nga ana tjetër, janë shpallur në kërkim edhe Stela Gugalli, e cila në sistemin TIMS rezulton se është jashtë shtetit si dhe Klodian Zoto. Lefter Koka akuzohet se ka përfituar 3.7 mln euro nga Inceneratori i Elbasanit.

Hetimet për inceneratorin e Elbasanit janë të parat që përfundojnë nga SPAK, teksa në proces përfundimtar është edhe ai i Fierit.

Pasuritë e sekuestruara për Inceneratorin e Elbasanit

14 apartamente me sipërfaqe banimi në total prej 1356 m²;
3 njësi tregtare me sipërfaqe shfrytëzimi në total prej 297 m²;
1 pasuri të paluajtshme të llojit truall me sipërfaqe 147 m² dhe ndërtesë 126 m²;
8 shoqëri tregtare dhe të gjitha asetet në pronësi të shoqërive tregtare.