Analisti Neritan Sejamini dhe deputeti i PD-së, Agron Shehaj, u përplasën në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” për protestat që premton opozita se do të bëjë për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës. Deputeti Shehaj tha se protestat duhen bërë, por ai tha se ato nuk janë për të rrëzuar qeverinë, sepse ajo ikën me votë. Por analisti Sejamini i kujtoi deputetit të PD-së se populli po proteston për Luizin e “BBV”-së dhe nuk del për skandalet e qeverisë, sepse, ndoshta, mendon se edhe opozita është si pozita dhe nuk kanë besim.
Shehaj: Afera që ka dalë në lidhje me pagesat që janë bërë dhe dyshimi se pas tyre mund të jetë kryeministri i Shqipërisë si dhe hetimi që po bëhet edhe mbi kryeministrin, është afera më e madhe. Protesta është e domosdoshme, në këtë rast. Do të diskutohet më pas se si u thirr, si u organizua, si do të jetë, e dhunshme apo jo, ne do të japim mendimet tona për fjalimet në protestë, nëse u tha gjëja e duhur, u sulmua mjaftueshëm apo jo, por unë prapë mendoj se protesta duhet bërë.
Sejamini: Ja u bë protesta. Ma vazhdo të nesërmen. Nuk besoj se ju do ta “vrisni” Ramën atë natë, apo ta nxirrni nga zyra. Cili është qëllimi i protestës?
Shehaj: Edhe unë kam një pyetje cili është qëllimi i protestave në Perëndim?
Sejamini: Partitë politikë nuk bëjnë protesta në Perëndim, bën populli, bëjnë sindikatat.
Shehaj: Nuk është e vërtetë. Partitë politike bëjnë protesta. Unë njoh mirë Italinë dhe në Itali bëhen vazhdimisht protesta.
Sejamini: Sa herë e kanë rrëzuar këto qeverinë?
Shehaj: Po nuk rrëzohet qeveria me protesta.
Sejamini: Po pra, po cili është qëllimi i protestës?
Shehaj: Edhe mund të rrëzohet në momentin që qeveria e kupton se ka kundër një pjesë të madhe të shoqërisë, shtohet edhe protesta një ngjarjeje shumë të rëndë si kjo që ka ndodhur. Çfarë prisni ju që të pushtojmë kryeministrinë? Ju thoni: Ose bëni një protestë dhe pushtoni kryeministrinë, ose mos e bëni fare. Unë nuk jam dakord me këtë. Nuk vihet në pushtet me protesta, por me zgjedhje.
Sejamini: Po pse nuk ka protestë në Shqipëri sot, pse nuk ka njerëz të revoltuar? Kanë dalë për Luizin para dy javësh në revoltë dhe nuk ka për këtë skandal.
Shehaj: Çfarë do të thotë, se kjo e skandalit nuk është gjë e rëndësishme?
Sejamini: Po mund të jetë edhe pse nuk kanë besim te opozita, nuk ia vlen të dalim, se mund të jenë edhe të tjerët njësoj.
Shehaj: Po mund të jetë edhe kjo.