Roli i redaksive audiovizive në përdorimin e drejtë të gjuhës shqipe dhe pasurimin e saj
Në procesin e monitorimit dhe shqyrtimit të përmbajtjeve të transmetuara nga OSHMA-të, Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, i është rikthyer dhe çështjeve të respektimit të standardit të shqipes së folur dhe të shkruar nga redaksitë audiovizive.

Mediet në tërësi, por dhe ajo audiovizive në veçanti, kanë rol të jashtëzakonshëm në ruajtjen e vlerave të gjuhës shqipe por dhe pasurimin e saj, duke shmangur ngarkesa të panevojshme të fjalëve dhe shprehjeve të huaja. Nuk janë korrekte sjelljet e disa drejtuesve të programeve audiovizive, të cilët lehtësisht zëvendësojnë fjalorin shqip me fjalë të huaja, si një përpjekje për të treguar modernitet në formulimet e pyetjeve, në komentet apo ndërhyrjet që bëjnë gjatë transmetimit të programeve. Efekti është jo vetëm te deformimi i shqipes por dhe te krijimi i situatave të paqarta, të pakuptueshme nga ndjekësit. Kjo nuk ndikon mirë te të ftuarit, që nga ana e tyre ndjejnë liri për përdorimin e fjalëve dhe shprehjeve të huaja.

Po ashtu, Autoriteti ka hasur dhe tekste (informacione, tituj, titrat e përkthimeve etj.) të cilat shkruhen me nxitim, duke mos respektuar as rregullat bazë të standardit të shqipes. Kjo bie në kundërshtim me zbatimin e parimeve themelore dhe kërkesave të ligjit 97/2013, neni 4, “Parimet themelore për veprimtarinë e transmetimeve audiovizive”, dhe të Kodit të Transmetimit të AMA-s, seksioni 1, “Parimet themelore”, të cilat përcaktojnë detyrimin e OSHMA-ve për përdorimin e standardit letrar të gjuhës shqipe.

AMA sërish po përmend dukuritë më të shpeshta që hasen në përmbajtjet e transmetuara audiovizive:

-gjuha e folur, në lajme dhe programe informative, veçanërisht në televizionet kombëtare, dëshmon për rritje të kujdesit ndaj drejtshqiptimit e komunikimit, por nuk respekton me përpikmëri parimet, normat e kërkesat gjuhësore;

-në programet me natyrë argëtuese janë identifikuar dhe komunikime në zhargon, të moderatorëve me të ftuarit, si dialogje të rëndomta që hasen në mjedise të lirshme kafenesh apo mjedise të tjera publike dhe private;

-vërehet përdorimi i panevojshëm, nga gazetarët e moderatorët, i fjalëve, fjalive e ndërtimeve sintaksore të gjuhëve të huaja;

-në televizionet informative, në shkrimin e titrave, por dhe në televizione kombëtare, në titrat e edicioneve informative, vijon të mos përdoret germa “Ë”, (e madhe) dhe “Ç” (e madhe). Kjo e fundit krijon dhe vështirësi e keqkuptime te teleshikuesit. Në mjaft raste të tjera, në të njëjtat televizione, sidomos në përkthimin e filmave e dokumentarëve, germat “Ë”, “ë”, “Ç”, “ç”, përdoren sipas normës drejtshkrimore.

AMA do të vijojë monitorimet mbi përdorimin e gjuhës shqipe duke e vlerësuar këtë aspekt me shumë rendësi në edukimin dhe ndërgjegjësimin e publikut për respektimin e standardit në të folur dhe në të shkruar. Redaksitë duhet të shtojnë përpjekjet që ky tregues të jetë pjesë e angazhimit të tyre profesional për përmbajtje sa më të shumëllojshme dhe cilësore për publikun.

Më poshtë po paraqesim disa nga fjalët më të përdorshme në median audiovizive dhe në krah tyre janë vendosur zgjedhje të mundshme për t’u zëvendësuar:

Fjalë të huaja që përdoren më shpesh në median audiovizive Zgjedhje e mundshme për zevëndësim
Lajv (live) Drejtpërdrejt
Elektorale Zgjedhore
Lokale Vendore
Prezent I pranishëm
Divergjencë Mospërputhje
Trend Kahje, prirje
Implementim Përmbushje, zbatim
Moderator Drejtues emisioni
Afirmoj Pohoj, njoh,
Dedikim Kushtim
I predispozuar I prirur
Influencë Ndikim
Indeks Tregues
Indipendent I pavarur
Apdejtim (update) Përditësim
Sensibilitet Ndjeshmëri
Impakt Ndikim
Limituar Kufizuar
Abrogim Shfuqizim
Ingredientë Përbërës
Mortalitet Vdekshmëri
Legal Ligjor
Fani (funny) Gazmor
Bilateral I dyanshëm
Deciziv Vendimtar
Eksperiencë Përvojë
Eliminoj Heq, zhduk
Egzakt Saktë, saktësisht
Avangardë Pararojë
Evitoj Shmang
Lajme flash Lajme shkurt
Merkato Treg
Prioritet Përparësi
Superioritet Epërsi
Abonim Pajtim
Event Ngjarje, fakt, veprimtari
Kontent Përmbajtje
Definitiv Përfundimtar
Avancoj Përparoj
Konsiston Qëndron
Kualitet Cilësi
Unanimisht Njëzëri
I komplikuar I ndërlikuar
Insistoj Këmbëngul
Ekzigjent Kërkues
Preferencë Parapëlqim, pëlqim
Abandonim Braktisje
Puntatë Pjesë, episod
Valid I vlefshëm, ligjor
Uikend Fundjavë
Shou Shfaqje
Screen Ekran-
Gossip Thashetheme
Crucial I qenësishëm, thelbësor
Konvertoj Këmbej, kthej
Kredibilitet Besueshmëri
Premio Çmim, shpërblim
Handikap Pengesë, paaftësi
Novacion Risi
Aprovoj Miratoj
Pankinë Stol
Nacionale Kombëtare
Agravuar Rënduar
Relaksuar Çlodhur
Involvoj Përfshij
Dimension Përmasë
Inspirim Frymëzim
Kreativ Krijues
Kauzë Çështje
Starton Fillon, nis
Skonto Ulje çmimesh
Violencë Dhunë
Ambiental Mjedisor
Net Rrjet
Interaktiv Bashkëveprues
Fans Adhurues, ndjekës
Predominon Mbizotëron
Risk Rrezik
Spostoj Zhvendos
Posedoj Zotëroj, kam
Vakant I lirë, bosh, (vend)
Luk (look) Pamje, dukje
Horror I frikshëm, i tmerrshëm,
Kompetitiv Konkurrues
Sharm Hijeshi, paraqitje, bukuri,
Aksent Theks
Suport Mbështetje
Obligim Detyrim
Kolaps Ngërç
Resurse Burime
Monitorim Vëzhgim, këqyrje
Koshient I ndërgjegjshëm
Sinjifikim Domethënie
Shoping Blerje
Donator Dhurues
Frakturë Thyerje
Ekuilibër Baraspeshë
Fluks Valë, lëvizje, rrjedhë
Interferoj Ndërhyj
Koekzistencë Bashkëjetesë
Kolaps Rrënim, shkatërrim, krizë
Komportim Sjellje , qëndrim
Konsensus Marrëveshje
Konfuzion Ngatërresë
Konfrontim Ballafaqim, mosmarrëveshje,
Solucion Zgjidhje
Prosperitet Mbarësi
Koordinim Bashkëpunim, bashkërenditje