Nga Alba Malltezi/
Ana Veizi, 12 vite pas vrasjes së babait të saj para derës së hekurt të kryeministrisë atë 21 janar të ftohtë, po rritet nën sytë tanë. Dhe rëstësisht ajo vajzë, që përvit kërkon drejtësi për babain e saj, ka përherë e më shumë pamjen që mendojmë për drejtësinë: Të pastër, sykaltër, të përmbajtur dhe të barabartë.
Në çdo intervistë, në çdo dalje publike, vendosmëria, vetëpërmbajtja, ekuilibri, që kur ishte e vogël, janë forca e pashpjegueshme e saj. Dhe në fakt, do të kishte pasur të gjithë të drejtën, të gjithë justifikimin që të bërtiste, të akuzonte, të sulmonte, të shprehte gjithë dëshpërimin e tejskajshëm sa herë që sheh e risheh atë pamje tragjike të babait të saj ndërsa rrëzohet “Live” nën plumbat e Shtetit.
Ana Veizi është sot një zonjushë më e fortë fizikisht, por pastërtia dhe kaltërsia e syve të saj na rikujtojnë gjithnjë një punë të lënë përgjysëm, ende në fillim dhe një premtim që duhet të mbajmë si shoqëri.
Personalisht, ndërsa shikoja dhe rishikoja kronikën e prezantuar nga një televizion i pushtetit atë mbrëmje të 21 janarit 2011, ndërsa përpiqej të manipulonte shqiptarët se Ziver Veizi ishte vrarë nga flokëbardhi me çadër në krah të tij, ndërsa mjekët nënvizonin të njëjtën tezë se goditjet me plumb kishin ndoodhur nga afër, nuk i besova. Një dritë e çuditshme mbi atë ngjarje, pikërisht mbi rrëzimin e tij, ndërsa qëllohej nga gardistët brenda kryeministrisë, ajo dritë, pikërisht në atë moment të darkës së 21 janarit 2011, bëri që rrjedhja e mashtrimeve të pritej si me thikë dhe e vërteta të merrte rrugën e saj publike që të gjithë sot njohim, dimë mirë.
Ndërsa Ziver Veizi rrëzohej, në të njëjtën sekondë ngrihej mbi të e Vërteta për njerëzit që po drejtonin Shqipërinë. Pikërisht ndërsa Ziver Veizi rrëzohej ngrihej si një re puplore e vërteta e tij që iu qëndron si shpatë mbi kokë vrasësve dhe urdhëruesve të hapjes së zjarrit mbi njerëz, e në të njëjtën kohë qëndron si dritë në sytë e Anës dhe në qëllimet e atyre shqiptarëve që duan një Shtet të drejtë dhe një vend më të mirë. Ajo e vërtetë dhe ajo dritë janë ende në kërkim të Drejtësisë.