Ditën e nesërme mbushen plot 12 vjet, nga demonstrata e përgjakshme, e mbajtur më 21 janar përpara kryeministrisë, ku humbën jetën Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj.

Emisioni “Zona Zero” ka publikuar ditën e sotme një video ekskluzive nga “Xhungël.al”, ku zbardhet biseda e Ndrea Prendit, komandanti i atëhershëm i Gardës së Republikës, me vartësit e tij, të cilët qëlluan drejt protestuesve.

I ftuar në studio, gazetari Artan Hoxha deklaroi se kjo është ngjarja më e rëndë e ndodhur në 30 vitet e fundit në vendin tonë. Ai shtoi se kjo video tregon që pamjet tregojnë se vrasjet u bënë me urdhër.

“Kjo ngjarje është një shembull i pandëshkueshmërisë, kur dihet që krimi është bërë nga shteti, për të mbrojtur pushtetin.

Është një ngjarje që ka ngelur në memorien jo vetëm të atyre që morën pjesë në atë protestë. Kjo është ngjarja më e rëndë në historinë e politikës në vendin tonë.

Më është dashur shumë kohë për ta siguruar këtë material. Kjo video është një regjistrim audio që tregon kush është njeriu që jep urdhrat dhe që bën koordinimin. Në momenti n kur u kërkuan prova për të provuar se vrasjet u bënë me urdhra, të gjitha këto u fshinë nuk lanë asnjë urdhër. Vetëm për të fshehur këtë gjë, që vrasjet u bënë me urdhër.”- deklaroi Hoxha.