Pas tërmetit me magnitudë 4.7 righter i cili shkaktoi dëme në disa banesa në Klos, zv/kryeministrja njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mori pjesë në mbledhjen e shtabit të emergjencave, ngritur në bashkinë e Klosit.
Në fjalën e saj, Balluku theksoi se e gjithë struktura është në këmbë, ndërsa kërkoi që asnjë kërkesë e qytetarëve të mos lihet pas dore.
“E gjithë struktura është në këmbë, s’duhet lënë pas dore asnjë kërkesë e qytetarëve. Është e rëndësishme që nuk kemi të lënduar, apo jetë jetë të humbura. Pallatet e Bulqizës janë të identifikuara prej kohësh janë shpallur të pabanueshme. Po punojmë për të gjetur një zgjidhje, duke qenë se nuk është përfshirë ne rindërtim, po gjejmë ndoshta një zgjidhje me Entin e Banesave. Insistoj se disa nga familjet vijojnë të jenë brenda, duhet të merrni masa, s’ka asnjë shans të vijohet të qëndrohet aty kur pallati është shpallur i pabanueshëm. Edhe kur nuk i kemi mundësitë do i gjejmë së bashku. Nuk ka ngelur askush pa u trajtuar me qera banese.” tha Balluku ndërsa në përfundim la porosi të qarta për grupet e punës në terren.
“Identifikimi i pasojave strukturore të banesave, si spitalet, shkollat dhe familjeve që ankohen për dëmtime. Grupet nga 4 bashkitë duhet të jenë në terren, të angazhohen jo vetëm forcat tona, por edhe lidhjet që ne kemi me organizata jo qeveritare, për t’i dhënë ndihmën e parë këtyre familjeve. Duhet ndërhyrë menjëherë për ndihmë sociale për ta. Instituti i ndërtimit me tre grupe pune do të jetë në terren. Është moment sensitiv, njerëzit janë të shqetësuar dhe në këtë moment vetëm për panik nuk kanë nevojë qytetarët.” -përfundoi Balluku.