Kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla në një intervistë në Report Tv është shprehur se krahasimi i dosjeve të 21 janarit apo Gërdecit me skandalin e ish zyrtarit të lartë të drejtësisë, ku përmendet dhe kryeministri Edi Rama nuk është aspak i vlefshëm. Përballë gazetarit Nertil Agalliu, Balla tha se në rastin e dosjes së ish zyrtarit të lartë nuk ka asnjë shqiptar të hetuar, aq më tepër Rama, siç opozita pretendon, e ndërsa thekson se në 21 janar dhe në Gërdec pati shqiptarë të vrarë, nga krime shtetërore.
“21 janari është çështja që duhet të flasim të gjithë, nuk gjej asnjë vlerë pse duhet të merremi me një fakt që një qytetar amerikan është vënë në hetim dhe në atë dosje nuk ka asnjë shqiptar të marrë në hetim, akuza nga ato që në Amerikë nuk shkojnë dot me not, Gërdeci dhe 21 janari janë 2 shembuj se si shteti vihet në funksion të interesave private të familjes, në rastin e Gërdecit. Qytetarët e humbën besimin, por që është rikthyer me ngritjen e SPAK, në momentin që del në provë e re dhe ne kërkojmë që kjo të merret në konsideratë, këtu mundohet të mbulojnë diellin më shosh dhe flasin për çështje që nuk ka asnjë impakt me atë që shqiptarët presin, ne presim që vrasësit e 21 janarit dhe Gërdecit të dalin para përgjegjësisë. Këtu janë vrarë njerëz, duan të ikin nga këto cështje dhe të qajmë hallin e drejtësisë amerikane dhe kjo tallje shkon deri aty sa edhe thirren protesta, në emër të kësaj talljeje”, tha Balla.
Ai ka komentuar edhe thirrjen e Shkëlzen Berishës në SPAK, duke thënë se nuk është një presion që po i bëhet Sali Berishës, po një tregues se drejtësia po funksionon.
“Nuk është presion, mendoj që drejtësia, për të gjitha çështjet që janë të pazbardhura duhet të bëjë punën e saj pa u ndikuar se i biri kujt është filani, apo babai i kujt është filani”, theksoi Balla në Report Tv.
Duke u ndalur te zgjedhjet e 14 majit, përtej bindes se do të fitojnë, Balla nuk zgjodhi të konfirmonte ose mohonte asnjë emër se kush do të jetë në gazë për Bashkitë e qarkut të Fierit, teksa nuk i kurseu vlerësimet për secilin prej tyre. Në këtë beteje elektorale, ai hodhi poshtë çdo mundësi për marrëveshje me parti të tjera, apo mes tyre PDIU, siç pretendohet. Balla tha se do të dalin të vetëm dhe do të fitojnë, pa asnjë dyshim.
“Garon e vetme në zgjedhje duke i qëndruar besnike aleancës me njerëzit e thjeshtë të zakonshëm, së fundmi Pakoja e Madhe, do të vazhdojmë e vetme dhe do të fitojmë”, u shpreh Balla.
Një koment e pati edhe për Amnistinë Fiskale, për të cilën këmbënguli se është një nevojë emergjente për vendin.
“Amnistia fiskale është një nevojë për vendin, për shkak të impaktit të luftës së Putin dhe të ekonomisë së vendi, mbyllje e tranzicionit dhe për të kaluar te një ekonomi të një vendi që po negocion për integrimin në BE. Është interesi madhor që të ndahemi nga tranzisioni, të bëjmë një deklarim të paratë të atyre që është bërë me djersë, ky banori që është duke punuar tokën këtu, ka qenë ë Greqi , ka disa para që i mban në shtëpi dhe që ato duhet të shkojë të deklarojë në bankë, nëse shkon sot, e ka të pamundur se i duhen dokumente. Më vjen keq që kjo ka ndodhur pothuajse ne vendet e pjesëve më të madhe të vendit, si Greqia dhe Italia, dhe kur vjen puna te ne, ata që duhet ta mbështesin më shumë që janë vendim marrësit ndahemi në interesa të veta”, tha Balla.
Në fund, një tjetër çështje që nuk e ka gjetur ende një zgjidhje është zgjedhja e Avokatit të Popullit, ku nuk e mohojnë bashkëpunimin me opozitën, por Balla tha se refuzon që kjo kandidaturë të jetë një “avokat partie”.