Komisioni Evropian beson se situata në Veri të Kosovës edhe pas largimit të barrikadave është ende e brishtë. Kështu të paktën ka deklaruar zëdhënësja e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Nabila Massrali, gjatë një konference për media. Ajo ka përsëritur se Komisioni Evropian ka mirëpritur de-eksalimin e situatës në Kosovës duke nënvizuar faktin se BE-ja ka luajtur një rol aktiv në ngjarjet e fundit duke u koordinuar kështu me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR).

“Situata është vërtet e brishtë dhe ne bëjmë thirrje që të dyja palët të përmbahen në mënyrë që situata të mbetet e qetë dhe të shmangen të gjitha veprimet që do të kishin potencial për ta rikthyer dhunën dhe përshkallëzimin”, ka deklaruar Massrali. Veriu, shton më tej zëdhënësja e BE-së, ka treguar se sa e rëndësishme është që palët të përkushtohet për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke marrë për bazë propozimin franko-gjerman. “Palët duhet të respektojnë marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut që do të thotë formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës”, ka deklaruar ajo.