Nga Jakina Marena/
Sali Berisha është me grip, i shtrirë në krevatin e shtëpisë së tij. Me temperaturë të lartë. Kështu të paktën u tha nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, të cilët lajmëruan se nuk do të dalë në konferencën javore për mediat për të bërë rutinën ditore, sulmet ndaj Ramës dhe qeverisë së tij.
Nuk u sqarua, askush nuk pyeti në fakt, nëse Berisha është ‘karantinuar’ nga gripi në shtëpinë që ka në rrugën “Mustafa Matohiti” në kryeqytet apo në vilën e tij në Gjirin e Lalzit.
Këtë nuk ia tha as Ilir Metës të cilin e ka komshi në Gjirin Lalzit me vilat ngjitur, dhe vetëm një thirrje në “zakonin e babës” madje dhe pa dorën në vesh, mund ta lajmëronte se: ‘jam i sëmurë”.
përballë konsumimit fizik, është 80 vjeç sot ai, një pensionist e shkuar pensionistit, po kërkon të mbajë fort me të gjitha mënyrat elektoratin e mbetur të PD. Atë më të vendosurin. Për ta ruajtur nga tundimi i partisë së Metës, e cila si parti klienteliste luan fort me premtimet për punësime në administratë.
Pra Berisha është në një hall tjetër të madh. Mirë që nuk ka vulë, dhe po të detyrohet të dalë bashkë me partinë e Metës në koalicion rrënohet tërësisht, por është dhe përballë rezultateve të pritshme elektorale për zgjedhjet e 14 majit. Të cilat e çojnë direkt në ‘nominim’ përballë strukturave sipas statutit, për postin e kryetarit. Dhe situata tek “Rithemelimi” është dramë.
Deri më tani Berisha ka deklaruar se do të ketë të gjithë kandidatët për kryetarë bashkie në emër të aleancës opozitare, ndërsa Meta, i mbështetur dhe nga vetë lideri i “Rithemelimit”, ua ka vënë “syrin” këshillave bashkiake. Pra nuk pretendon për kryetar bashkie, ka vetëm Lefter Maliqin në Kuçovë, por ai bëhet me këdo, si t’i thuash, por kërkon vetëm këshillat bashkiake. Dhe Meta këtë skemë e përsërit sa herë del në media, apo sa herë i drejtohen gazetarët për këtë fakt.
Me sa duket, duke parë rënien ‘pikiatë’ të kuotave politike të Metës dhe partisë që drejton, dhe Berisha i gjendur në hall dhe në kulmin e krizës në PD dhe izolimit ndërkombëtar, është ftilluar dhe ka nisur të bëjë disa llogari të thjeshta. Duke konkluduar që në krye të herës se dhe vetë grupimi i PD që drejton ka rënie drastike të mbështetjes politike. E thonë sondazhet më të fundit. Por duke qënë grupimi më i madh opozitar, Berisha e di se këto elementë mund të ‘amortizohen’ hap pas hapi, guke ruajtur sëpaku kuotat optimale e që kanë qënë trend gjatë gjithë viteve. Qoftë dhe në pikën minimale.
Në krye të herës Berisha është i bindur se përpos bashkisë së Shkodrës ku ka pretendime më të mëdha, dhe atje rrezikohet pas largimit të Agron Çelës drejt PS, si dhe dy tre bashkive të tjera të vogla, më 14 maj nuk fiton asnjë prej njësive vendore. Pra “Rithemelimi” rrezikon të dalë me një rezultat shokues në zgjedhjet për kryetetar bashkie në gjithë vendin. Pavarësisht aleancës me PL.
Nuk bashkohen, për bëjnë aleancë të heshtur. Ndërsa regjistrimin në zgjedhje Berisha e ka të zgjidhur. Bën një koalicion në fund të herës me PR e Mediut, PDK e Ndokës dhe ndonjë parti tjetër, i vë sërish emrin “Shtëpia e Lirisë”, gjithnjë nëse Meta tërbohet nëse ia ‘dredh’ aleati i tij në krye të “Rithemelimit”, dhe bën regjistrimin në KQZ për zgjedhje. Pa pasur nevojën e Metës, dhe pa ia paguar “haraçin” e futjes nën çatinë e tij.
Berisha dhe pa këto halle nuk symon pushtet, por ama po mundohet të shpëtojë çfarë mund të shpëtojë, për të mos dalë sëpaku i përgjysmuar nga beteja elektorale e 14 majit. Hall është dhe ky!
Megjithëse gjithçka mund të ndodhë. Të presim se si do të veprojë Berisha kur të ngrihet nga krevati, ku e ka ‘gozhduar’ gripi. I cilit variant qoftë.