Ish-Kryeministri Berisha po e konsideron çështjen e hetimit ndaj ish agjentit të FBI në shtetet e Bashkuara të Amerikës si ‘fijen e vetme të barit’ për të mos ‘u mbytur’ në zgjedhjet e ardhshme. Ai ka paralajmëruar revolucion, s’ka më paqe, ai ka kërkuar dorëheqjen e Ramës duke folur për një mega skandal që asnjë kryeministër tjetër në botë s’e ka bërë.
Sot teksa akuzoi ashpër edhe ambasadoren amerikane Kim, duke e lidhur ngushtë me këtë çështje dhe që urdhëron Ramën e Bashën të heshtin, Berisha akuzoi mediat por edhe analistë të ndryshëm të cilët kanë deklaruar se në fakt në SHBA nuk ka asnjë hetim ndaj Ramës por për më tepër nuk ka as akuza ndaj McGonigal për korrupsion por vetëm mos deklarim të një borxhi.
“Këto ditë, moria e lakejve kanë bërë gjithçka për t’u dezinformuar jo në mënyrën më të turpshme. Ata ju kanë mashtruar ju se Edi Rama nuk është nën hetim. Ky është një trillim i paskrupullt. Të tjerë mund ta kenë bërë me naivitet. Sidoqoftë, ky është një akt i shëmtuar ndaj informimit të publikut shqiptar”, i quajti Berisha mediat.
Ai nxorri një dokument të cilin e interpretoi vetë me qëllim për të gënjyer opinionin publik, pa i interesuar fare imazhi i vendit. Duke iu referuar një thirrjeje për të dëshmaur, e kërkuar nga prokurori dhe e miratuar nga juria në SHBA, Berisha e ka interpretuar në mënyrë të qëllimshme dhe skandaloze si një vendim gjykate që e vë të gjithë Qeverinë shqiptare nën hetim.
“Edi Rama, me vendim të gjykatës së SHBA, është nën hetim total. Ky dokument i publikuar nga Business Insider në shtator të vitit 2022, është dokumenti që fakton se gjykata e SHBA, Juria e Madhe me 24 vetë, është juria më e madhe për çështjet më sensitive, ka autorizuar prokurorin, ka paraqitur këto kërkesa që i ka miratuar Juria e Madhe për të hetuar, për të nisur hetimin për Edi Ramën dhe qeverinë shqiptare. Prokurori ka marrë autorizimin e gjykatës. Të gjithë ata që thonë se nuk është nën hetim, mashtrojnë më mënyrë të paskrupullt. Një urdhër i tillë është hetim, hetim dhe vetëm”, vijoi Berisha duke gënjyer mënyrë skandaloze.
Në fakt në dokumentin që Shqiptarja.com po e riboton dhe që është publikuar nga media amerikane ‘Business Insider’ në shtator të vitit të kaluar bëhet fjalë thjesht dhe vetëm për një thirrje për të dëshmuar. Dhe në këtë dokument personi ftohet që të flasë për çështjet e renditura të cilat Berisha i keqinterpreton me dëshirë për të mashtruar.
Fletë thirrje për dëshmi, e publikuar sot nga Berisha si vendim gjykate
Dokumenti thotë që personi i thirrur për të dëshmuar do të duhet të tregojë gjithçka që ka dijeni në lidhje me “regjistrime, dokumente, materiale të lidhura me sa vijon, çdo dhe të gjithë regjistrimet, materialet nën posedim, që dokumentojnë çdo komunikim personal, përfshi, por jo vetëm të mesazheve, teksteve celulare, mesazheve, emaileve elektronike, mesazheve të enkriptuara, mesazhet zanore, letrat, shënimet mes jush dhe Charles McGonigal, lidhur me pikat në çështjet që vijojnë: Agron Neza, Lou Bladel- paraardhës i McGonigal në disa kontrata me Edi Ramën”.
Por si i interpreton Berisha këtë? Ai thotë se kjo vërteton se e gjithë Qeveria shqiptare është nën hetim. Se si mund të jetë nën hetim një Kryeministër i një vendi dhe Qeveria e tij dhe këtë ta thuash vetëm përmes një fletë thirrje për të dëshmuar kjo është pak të thuash mashtrim. Dhe për më tepër që në dokumentin e vërteta, në akt akuzën e prokurorit amerikan, përmendet vetëm një borxh dhe një akuzë për ‘mosdeklarim të këtij borxhi’.
Kujtojmë se dje, pavarësisht zhurmës së madhe që ka krijuar në Shqipëri, arrestimi i ish zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles Mc Gonigal, media prestigjioze amerikane, NeW York Times në një artikull të publikuar së fundmi, shkruan se nuk ka asnjë tregues që të provojë se Gonigal punonte për oligarkun rus, Oleg Deripaska gjatë kohës që ishte në detyrë. Pra kjo akuzë e ngritur ndaj Mc Gonigal mund të bie pasi nuk provohet asnjë lidhje e tij me oligarkun rus gjatë kohës që ishte shefi i sektorit të kundërzbulimit në FBI.
Ndërkohë përsa i përket Shqipërisë, përkundër akuzave që opozita shqiptare ka bërë sa i takon korruptimit të Mc Gonigal nga Agron Neza biznesmen shqiptaro-amerikan (ish punonjës i inteligjencës shqiptare në kohën e komunizmit) për llogari të kryeministrit Rama, në aktakuzën e autoriteteve amerikane nuk flitet fare për korrupsion por për mosdeklarim të të ardhurave nga ish zyrtari i FBI-së.
Ish-agjenti i lartë i FBI-së Charles McGonigal po përballet me dy akuza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Akuza tjetër lidhet me 2 shqiptarë, pasi zyrtari i lartë i FBI, po hetohet për marrjen 225 mijë dollarëve nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, ish agjent shqiptar i inteligjencës në kohën e komunizmit, dhe mosdeklarim të shumës së dollarëve, për të cilat ky i fundit pretendon se ia ka dhënë borxh.
Paraditen e sotme, teksa Berisha shfrenonte fantazinë se Edi Rama mungonte në daljet publike pasi ishte marrë peng nga FBI në një ishull ku po merrej në pyetje për cështjen McGonigal, kreu i qeverisë doli duke pirë kafe në zyrën e tij. Por kjo nuk e ndali ish kryeministrin që hodhi akuza se ambasadorja Yuri Kim e ka urdhëruar që së bashku me Lulzim Bashën të respektojë ‘kodin e heshtjes’. Për këtë kërkon hetim nga SHBA. Më parë Berisha publikoi mesazhin e ‘qytetarit dixhital’ në të cilin thuhet se Ramën është takuar me zyrtartë të lartë të FBI-së në një ishull dhe i kanë kërkuar që të rrëfejë lidhjet me McGonigal. Por në një video ku tregonte se ka qenë me grip, kreu i qeverisë tregoi se ka vijuar punën dhe ka diskutuar për të sjellë politika të reja mbështetëse për grupet në nevojë duke nxjerrë ‘blof’ kështu Berishën.