Ilir Meta ka akuzuar kryeministrin Rama se ka korruptuar agjentin e FBI-së Charles McGonigal për të sulmuar opozitën.

Në një shënim më Facebook, Meta shkruan se është i domosdoshëm hetimi i veprimeve antikushtetuese, të paligjshme e mafioze të Edi Ramës.

Ai shton më tej se Rama është jo vetëm në konflikt interesi po ka shkelur rëndë Kushtetuën.

“Përdorimi i McGonigal në mënyrë të paligjshme dhe korruptive nga Edi Rama në postin e Kryeministrit të Shqipërisë kundër opozitës dhe kundërshtarëve të tij politikë është shumë flagrant. Ndaj hetimi i kësaj çështje nga SHBA është shumë i rëndësishëm për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë.

Edhe më i domosdoshëm është hetimi i veprimeve antikushtetuese, të paligjshme dhe mafioze nga Edi Rama, i cili e përdhosi zyrën e Kryeministrit duke joshur e korruptuar zyrtarë të lartë të huaj për të porositur investigime ndaj kundërshtarëve politikë me qëllim shkatërrimin e pluralizmit politik dhe instalimin e plotë të narkoshtetit dhe kleptokracisë.

Edi Rama nuk është vetëm në konflikt interesi me detyrën e Kryeministrit por ka shkelur rëndë Kushtetutën e vendit duke shfrytëzuar postin e Kryeministrit dhe përdorur korrupsionin ndaj zyrtarëve të huaj për të minuar demokracinë dhe pluralizmin politik në vend” – shkruan Meta.

Ai shton më tej se bllokimi i komisionit hetimor parlamentar për të hetuar çështjen në fjalë është përpjekje e pashpresë ndërsa u bën thirrje deputetëve socialist që të shpëtojnë dinjitetin e tyre duke respektuar Kushtetutën e Kuvendin.

“Bllokimi i komisionit hetimor parlamentar është një përpjekje e pashpresë për të relativizuar këtë komplot të tij kundër demokracisë dhe pluralizmit politik. U bëj thirrje deputetëve të mos sillen më si kukulla për të mbuluar skandalet e Edi Ramës por të shpëtojnë dinjitetin e tyre duke respektuar Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Asgjë nuk do ta ndalë zbardhjen e “Ramagate” në vendin tonë dhe vendosjen para ligjit të kësaj bande manipulatorësh”, shkruan Meta.