Mbështetësit e ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro, duke mos pranuar rezultatin e zgjedhjeve hynë në ndërtesën e parlamentit të vendit , Gjykatës së Lartë dhe pallatin presidencial të dielën, por pas disa orëve tensionesh e incidentesh të dhunshme, autoritetet shpërndanë turmat masive e kanë bërë të paktën 400 arrestime, raporton CNN.

Gjykatësi i Gjykatës së Lartë braziliane, Alexandre de Moraes urdhëroi ushtrinë të çmontojë të gjitha kampet e mbështetësve të Bolsonaro në të gjithë vendin brenda 24 orëve dhe i bëri thirrje policisë që të arrestojë çdo protestues ende në rrugë, sipas një urdhri të gjykatës.

Po ashtu ai ka vendosur të shkarkojë guvernatorin e distriktit federal të Brasilias, Ibaneis Rocha. Ibaneis i ka kërkuar falje Lulës për ngjarjet në një video , ndërsa presidenti brazilian e kishte akuzuar se nuk kishte marrë masat e nevojshme për të parandaluar “pushtimin” dhe plaçkitjen e institucioneve demokratike.

Ndërsa Ministri i Drejtësisë Flávio Dino tha se për shkak të situatës së ndodhur, qeveria e Brazilit do të miratojë më shumë masa që synojnë forcimin e kryeqytetit të Brasilia.

Shumë i ashpër ka qenë komenti i parë i presidentit Luiz Inacio Lula da Silva, i cili në një ndërhyrje televizive drejtuar kombit denoncoi “fanatikët fashistë”, duke u shprehur se “të gjithë përgjegjësit e akteve terroriste do të identifikohen dhe ndëshkohen”.

Presidenti akuzoi policinë ushtarake për “paaftësi ose keqbesim”. Më pas, në Twitter, ai shkroi se vandalët ishin “inkurajuar nga fjalimet” e Bolsonaro.

Nga ana tjetër, ish-presidenti brazilian Jair Bolsonaro denoncoi “pushtimet” e ndërtesave publike” në Brasilia, pasi mbështetësit e tij sulmuan ndërtesat kryesore qeveritare të dielën, por që u larguan më pas nga policia.

Bolsonaro, disa orë pas sulmi, reagoi përmes mediave sociale dhe hedh poshtë akuzat se në një farë mënyre ka orkestruar ose nxitur dhunën.

“Unë hedh poshtë akuzat, pa prova, që më atribuohen nga kreu aktual i shtetit të Brazilit . Gjatë gjithë mandatit tim, kam respektuar gjithmonë Kushtetutën, duke respektuar dhe mbrojtur ligjet, demokracinë, transparencën dhe lirinë tonë të shenjtë”, tha Bolsonaro.

Sulme të dhunshme nga rreth 3000 protestues, mbështetës së Jair Bolsonaros, ndaj tre institucioneve kryesore të Brazilit, Kongresit, Pallatit Planalto (selia e qeverisë) dhe Gjykatës së Lartë pasi nuk pranojnë humbjen në zgjedhje të ish-presidentit dhe kanë pretendime mbi pa rregullsinë në mënyrën se si u realizuan zgjedhjet e tetorit.

Brenda Pallatit të Planaltos, një kryevepër moderniste e arkitektit Oscar Niemeyer, demonstruesit shkatërruan tavolina dhe karrige, duke hyrë gjithashtu në zyrën e Presidentit Lula, i cili ishte dje në shtetin e Sao Paulo, ku organizoi një takim urgjent me ministrat përpara se të kthehej në kryeqytet. Po aq i madh ka qenë edhe dëmtimi i Kongresit, godinës ku janë vendosur deputetë dhe senatorë.

Gjatë sulmit të Bolsonaristëve në Gjykatën e Lartë, u vodh një kopje e Kushtetutës së vitit 1988. Kopja u vendos në ndërtesën e gjykatës dhe u hoq dhe u dërgua në Praca dos Tres Poderes. Edicioni origjinal i Magna Carta-s, i mbajtur në muzeun e Gjykatës së Lartë, mbetet i pa prekur.