Në Shqipëri, fenomeni i bullizmit është një nga format kryesore të dhunës, që raportohet nga fëmijët dhe adoleshentët. Ekspertë, prindër dhe zyrtarë nënvizojnë se përballja me të është e vështirë edhe për shkak të formave të reja të komunikimit përmes rrjeteve sociale. Njohës të këtij fenomeni sqarojnë gjithashtu, se bullizmi frymëzohet më së shumti nga dhuna e shtrirë në masë të gjerë në shoqëri. Në sistemin arsimor parauniversitar, janë ngritur grupe multidisiplinare me qëllim parandalimin dhe minimzimin e fenomenit të bullizmit, i cili, sipas ekspertëve, nëse nuk trajtohet sjell pasoja të rënda në shoqëri në të ardhmen. Në Shqipëri fenomeni i bullizmit, si një nga format e dhunës, është mjaft i përhapur, në institucionet arsimore parauniversitare. Ai është kthyer në një shqetësim serioz për nxënësit, familjet si dhe drejtuesit e arsimit në vend. Sipas organizatave që mbrojnë të drejtat e fëmijëve dhe adoleshentëve, bullizmi raportohet si forma kryesore e dhunës që shkel të drejtat e tyre, krahasuar me 5 vite më parë, kur më së shumti raportohej dhuna në shkollë, familje apo varfëria. Sipas vëzhguesve të fushës, kjo rritje lidhet edhe me prezencën në shkallë të gjerë të dhunës në shoqërinë shqiptare. Një nxënëse, që ka përjetuar bullizëm në një nga shkollat e kryeqytetit dhe që kërkoi të mbetej anonim, i tha Zërit të Amerikës se ai është i përhapur kudo.
“Bullizmi është i shumë i përhapur. Ndodh në klasë, kudo dhe në çdo moshë. Më ka ndodhur dhe mua, për pamjen fizike, pse jam e dobët. Ndodh për arsye të ndryshme, për veshjen, pamjen, për statusin që ke në shoqëri dhe familje”- u shpreh për Zërin e Amerikës, një nxënëse e prekur nga bullizmi. Ndërsa nëna e një vajze, gjithashtu e prekur nga bullizmi, rrëfen për Zërin e Amerikës, se si vajza e saj në një moment, u gjend në një shkollë të re, aty ku dhe u përball me këtë formë të dhunës.
“ Vajza papritur u gjend në një shkollë si nxënëse e re dhe u bullizua nga një vajzë tjetër, që mbahej si më e mira e shkollës aty, e cila mesa duket ndjeu konkurrencë. Një formë ishte fyerja për pamjen e jashtme. Ndonjëherë nuk kuptojmë ç’do me thënë më e mira, dhe i shtyjmë fëmijët drejt një rruge të gabuar për të ndjekur më të mirën. Më e mira nuk janë vetëm notat e larta. Unë si nënë, mundohem që në fillim t’i edukoj fëmijët e mi të jenë njerëz të mirë në jetë”- u shpreh nëna e një vajze të prekur nga bullizmi. Bullzimi shfaqet në mënyra të ndryshme thonë ekspertët. Shpeshherë ata që kryejnë bullizëm nuk e kuptojnë atë që po bëjnë, sipas tyre, dhe ju duket ngacmimi i lehtë, por në fakt këto janë forma që ndikojnë rëndë tek personi tjetër, shpjegojnë ata.
“Ata që bullizojnë merren me karakteristikat, me tiparet e jashtme, i dobët, i shkurtër, me prejardhjen kulturore, edhe kur dikush vjen i ri në klasë, me karakteristika të personalitetit dhe mjaft forma të tjera të kësaj dhune”- u shpreh për Zërin e Amerikës Dr. Lediona Asabella Pata, punonjëse sociale në shkollën e mesme të përgjithshme “Besnik Sykja”, Tiranë. Organizatat joqeveritare, që mbrojnë të drejtat e fëmijëve thonë se shkaqet e rritjes së fenomenit të bullizmit mes tyre, e kanë burimin tek dhuna e përhapur në masë të gjerë në shoqëri, format e reja të komunikimit në rrjete sociale mes fëmijëve dhe adoleshentëve, si dhe tek modelet e dhunës që promovohen krejt pa kontroll në këto rrjete.
“ Fëmijët ankohen për dhunë në familje, për dhunë në shkollë, statistikat po ulërasin. Vetë shoqëria po i shtyn që ata të bëhen po aq të dhunshëm, në mos më të dhunshëm se shoqëria jonë. Fëmijët kanë humbur komunikimin mes njëri-tjetrit dhe kjo përkthehet në dhunë on line. Ajo që po shohim, në disa mekanizma që kemi ngritur, ështe se gjysma ankesave të fëmijëve janë të lidhura me bullizmin ndaj tyre. Një video e papërshtatshme me foto të vjedhura, të manipuluara me këngë të dhunshme, që nxisin dhe më tej dhunën”- tha për Zërin e Amerikës Altin Hazizaj, Drejtor i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve. Autoritetet zyrtare e njohin dhe pranojnë problemin e bullizmit, si një nga format kryesore të dhunës në shkolla dhe thonë se janë marrë masa në vijimësi, për ta parandaluar dhe minimizuar atë. Në shkolla, sipas tyre, ka grupe multidisiplinare, që kanë në thelb shërbimin psiko-social dhe atë edukativ përmes kurikulave në lëndë të posaçme, në lidhje me bullizmin. Raporti psikolog -nxënës është ngushtuar, nga një me 2300, 3000 disa vite më parë, në një psikolog dhe punonjës social për 750-800 nxënës, sipas autoriteteve duke sjellë dhe një mbulim më cilësor në këtë fushë. Përfaqësues të shërbimeve psiko-sociale në shkolla thonë se është rritur ndërgjegjësimi për të raportuar bullizmin dhe shtojnë se sot mbizotëron dhuna, që nis nga gjuha e ashpër dhe jo etike në rrjete sociale, ndaj dhe ata kërkojnë aleancën e familjes në punën e tyre. Zyrtarët thonë se përpjekjet e tyre brenda institucioneve arsimore, për të parandaluar dhe zbutur fenomenin e bullizmit, dëmtohen në vijimësi nga faktorë të jashtëm.
“Ndikimi që vjen nga jashtë, pavarësisht se diskutohet në kurikula, jo vetëm tek qytetaria apo dhe lëndë të tjera, është i madh. Ndikimi vjen nga faktorë të jashtëm të shkollës, komuniteti, zonat ku fëmijët jetojnë, familja, ndikimi i mediave sociale, krijojnë një kundërpeshë të gjithë përpjekjeve që bëhen brenda sistemit arsimor për ta trajtuar fenomenin”- u shpreh për Zërin e Amerikës Gerti Janaqi, Drejtor i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar. Fenomeni i bullizmit nëse nuk trajtohet sjell pasoja të rënda në të ardhmen, sipas ekspertëve të fushës. Autoritetet nuk raportojnë raste të rënda, por shtojnë se masat që janë marrë ndaj shkaktarëve të kësaj dhune në sistemin arsimor parauniversitar kanë qenë të ashpra, me qëllim minimizimin e pasojave.
“Bullizmi i patrajtuar për dy palët, ka pasoja. Për atë që bullizon ka pasoja të mëdha, për mënyrën se si do t’i trajtojnë marrëdhëniet me të tjerët në të ardhmen, në shkollë të lartë apo në punë, ndërsa ai që është i bullizuar, varet se në çfarë pike të humnerës bie. Ka raste që mund të bëjnë dhe episode të vetvrasjes, lënë letra lamtumire. Pra, të dy kanë nevojë për trajtim, sepse mostrajtimi i shoqëron me pasoja emocionale shumë të vështira”- vijoi Dr. Lediona Asabella Pata, punonjëse sociale në shkollën e mesme të përgjithshme “Besnik Sykja”, Tiranë. Rastet e intervistuara nga Zëri i Amerikës thanë se dëmi psikologjik ka qenë i rëndë pas bullizmit, por me shërbim psiko-social, mbështetjen e familjes dhe të shoqërisë vështirësitë janë tejkaluar.
“Ka disa që kalojnë në stres, në depresion, por unë mendoj se nëse ti vazhdon rrugën tënde përpara, nëse mëson fort, studion në një shkollë të mirë mund të jesh më i mirë se ata në të ardhmen. Psikologia e shkollës më ka ndihmuar shumë, është shumë e mirë”- u shpreh vajza e prekur nga bullizmi.
“Vajza u mbyll në vetvete, filloi të vuante, shfaqte shenja nervozizmi. E kam marrë vesh pas shumë kohësh, përfunduam tek një psikologe. Ishte dhe dëshira e vajzës. Ajo u bë e fortë e kaloi”- tha nëna e vajzës së prekur nga bullizmi. Fenomeni i bullizmit si një nga format kryesore të dhunës në shkolla, i frymëzuar në mjaft raste nga modele të dhunshme, që promovohen në rrjete sociale, media dhe shoqëri, ka vënë në sfida të vështira jo vetëm prindërit, fëmijët dhe autoritetet zyrtare por dhe mjaft aktorë të tjerë të shoqërisë. Ekspertët sugjerojnë më shumë vëmendje për t’i ruajtur sot fëmijët nga kjo dhunë me qëllim që ajo të mos transferohet në të ardhmen, në forma të ndryshme në shoqëri.