SPAK akuzoi zyrtarisht për shpërdorim detyre ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu lidhur me çështjen “Gërdeci”, ku për shkak të shpërthimit të municioneve humbën jetën 26 persona. Pasi iu komunikua akuza, ai tha se gjithçka ka prapavijë politike.
Por avokat Idajet Beqiri, thotë se kjo është koha që ish-ministri Mediu të rrëfejë të vërtetën në lidhje me këtë ngjarje, nëse tragjedia u shkaktua për shkak të shpërdorimit të tij të detyrës, apo për shkak të urdhrave që ai ka marrë në qeverinë ku shërbente.
“Fatmir Mediu është koha të tregohet i përgjegjshëm. Ai është jurist vetë dhe e di se cfarë do të thotë e drejtë penale dhe përgjegjësi penale, i njeh edhe rrethanat rënduese dhe lehtësuese por ai duhet tashmë ta thotë të vërtetën ashtu siç është, nga i mori urdhrat.
Nëse çdo gjë ishte pasojë e shpërdorimit të detyrës së tij, apo kishte dikë tjetër mbi kokë që e diktoi Mediun, apo Aldo Bumçin që të bëheshin bashkë në këtë krim që për mua është shtetëror i Sali Berishës dhe familjes së tij”, u shpreh Beqiri për Dritare TV.