Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier pas diskutimeve në Ambasadë për çështjen e Asociacionit ka kërkuar zbatimin e marrëveshjeve të dakordësuara në kaudër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi. Ai tha se takimi i sotëm ishte një seancë dëgjimore, në të cilën palët e ftuara kanë ndarë pikëpamjet dhe ekspertizën e tyre sa i takon kësaj teme të ndjeshme, por shumë të kërkuar nga vetë Serbia, por dhe faktorët ndërkombëtarë.
“Sot mbajtëm një seancë dëgjimore për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Mirënjohës për aktorët e ndryshëm të pranishëm, për ndarjen e pikëpamjeve dhe ekspertizave të tyre. Ne vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha zotimeve të dialogut”, ka shkruar Hovenier në Twitter.
Në takimin e mbajtur nga SHBA ishin të ftuar përfaqësues qeveritarë, liderë politikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Takimi është mbajtur me dyer të mbyllura, ndërkohë ajo që bie në sy lidhet me mungesën e Albin Kurtit, të cilën ambasada nuk e ftoi në këtë tryezë.
Megjithatë qeveria ka pasur përfaqësuesit e saj në diskutimin e kësaj teme, e cila duket se do jetë “Kali i Betejës” për SHBA dhe BE-në për të arritur sa më shpejt në marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.