Mero Baze
Ka një përpjekje për të shpikur dy tema debatesh mbi Kadarenë. Ngaqë nuk e kundërshtojnë dot si shkrimtarin tonë më të madh dhe si identitetin tonë perëndimor, përpiqen të ngjallin paralel me këtë debat dhe debatin mbi personalitetin e Kadaresë dhe sjelljen e tij me regjimin, pas të cilit ai ka shpëtuar i gjallë.
Me këtë fakt, që në thelb është mizori, ata duan të balancojnë personalitetin e Ismail Kadaresë si shkrimtar, duke shpikur një problem me personalitetin e Ismail Kadaresë si qytetar shqiptar.
Në të vërtetë, nëse Ismail Kadare ka një vlerë më të madhe se sa vlera e tij si shkrimtar, është aftësia e tij për t’i shpëtuar diktuarës dhe eliminimit fizik prej saj. Ky është kontributi më i madh që qytetari Ismail Kadare ka dhënë për kombin shqiptar, pasi ka shpëtuar shkrimtarin Ismail Kadare dhe veprën e tij, e cila sot është krenari kombëtare.
Pa qytetarin Ismail Kadare, që ka mundur të mbijetojë dhe t’i shpëtojë diktaturës dhe diktatorit gjallë, dhe mbi të gjitha duke siguruar mundësinë që vepra e tij të botohej, ai nuk do ishte bërë kurrë avangarda e mendimit shqiptar, nuk do ishte kurrë lokomotiva që udhëhiqte pjesën pro-perëndimore të shoqërisë me sytë nga liria, dhe mbi të gjitha, kurrë nuk do të kishim këtë debat, pasi nuk do ekzistonte Ismail Kadare si shkrimtar.
Ai ekziston pasi qytetari Ismail Kadare mbi të gjitha ka ditur të mbijetojë dhe të mbrojë shkrimtarin Ismail Kadare. Argumentet se i duhej diktaturës janë qesharake.
Ka plot fakte kokëforta që diktatura disa herë i ka shkuar shumë afër eliminimit të tij. Shoqëria shqiptare gjatë diktaturës nuk ka pas idhuj të disidencës anti-komuniste që të ndahej pro atyre, ose pro komunizmit.
Shoqëria shqiptare nuk ishte bardhë e zi në përpjekjen e saj për t’u orientuar tek vlerat jokomuniste të shoqërisë. I vetmi lakmus që provonte kush e kishte kokën nga liria dhe Perëndimi, dhe kush e kishte nga partia dhe socializmi, ishte qëndrimi ndaj Kadaresë.
Ata që prisnin me padurim librat e tij, intervistat e tij, shkrimet e tij dhe gjithçka tjetër, ishin ata që mbanin gjallë shpresën në këtë vend. Dhe prijës i asaj pjese të shoqërisë për dekada të tëra ka qenë Ismail Kadare.
I kuptoj ata që e donin dhe të vdekur, dhe të madh, por thjesht e kanë dashur të vdekur. E çuditshme është që hidhërimi i tyre zgjat kaq shumë. Kjo tregon realisht sa e ka dashur dhe si e ka dashur diktatura dhe ithtarët e saj.
Jetë të gjatë Ismail Kadare!