Didier Deschamps do vijojë të jetë trajner i Francës deri në vitin 2026. Lajmin e ka bërë të ditur federate franceze për disa ditë e kishte kombëtaren pa trajner, duke qenë se Deschamps i përfundoi kontrata pas Botërorit. Prej kohësh ishte përfolur fuqishëm edhe emri i Zinedin Zidan, por ish-trajneri i Real Madrid duhet të presë ende për të drejtuar ‘gjelat’.

Kësisoj Deschamps sipas kontratës do ta drejtoje Francën në Europianin e Gjermanisë në 2024 dhe në Botërorin e 2026.

“I emëruar në 9 korrik 2012, Deshamp ka një bilanc të jashtëzakonshëm në drejtimin e përfaqësueses me 89 fitore, 28 barazime dhe 22 humbje në 139 ndeshje me 279 gola të shënuar dhe 119 të pësuar. Në drejtimin e tij, Franca fitoi Botërorin në vitin 2018, Ligën e Kombeve në vitin 2021, arriti në finalen e Euro 2016 dhe Botërorit 2022. Aktualisht mban vendin e tretë në klasifikimin FIFA-s ku ka qenë gjithmonë mes katër të parave në pesë vitet e fundit”, shkruhet në komunikatën e Federatës Franceze që njoftonte rinovimin.

Mediat franceze kishin bërë të ditur se gjatë këtyre ditëve, e vetmja gjë që mbante peng firmën ishte dëshira nga Federata Franceze që të rinovonte deri në Europianin e ardhshëm. Por në fund u dorëzua para kërkesës së Deshamp për të rinovuar deri për Botëror, pasi për të flitnin rezultatet e shkëlqyera, pavarësisht se për shumëkënd, në dy turnetë e fundit francezët kishin dështuar duke mos arritur të siguronin trofeun.