Dështon për të tretën herë seanca e dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Luftar Reçit.
Ky i fundit nuk ka qenë prezent këtë të premte, ku do përballej me grupin e Lulzim Berishës dhe Plarent Dervishajt për vrasjet e 2005, të biznesmenit, Vajdin Lame dhe Klodian Saliu për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore.
Burimet bëjnë të ditur se ai ka probleme me frymëmarrjen për shkak të mbipeshës, por diçka e tillë nuk është e provuar me raport mjekësor.
Në këto kushte togat e zeza kanë vendosur që seancën e radhës të bëhet shoqërimi i tij i detyrueshëm.
Emiljano Shullazi, Viktor Ymeraj, Indrit Taulla dhe Indrit Rusi janë të vetmit persona të arrestuar për vrasjen me eksploziv të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut. Ndërsa, Lulzim Berisha dhe Plarent Dervishaj, po ashtu nën akuzë nuk janë ende të arrestuar.
Dy herët e para, arsyeja për shtyrjen e seancës ka qenë mungesa e gjyqtares Etleva Deda, e cila prej 3 javësh gjendet në spitalin e Sanatoriumit, ç’ka ka sjellë zëvendësimin e saj në trupën gjykuese.
Seanca e radhës është në datën 6 shkurt.