Problemet e mëdha ekonomike që zgjasin prej vitesh kanë frikësuar gjithmonë turistët e huaj që të vizitojnë Venezuelën. Shpesh vendet perëndimore dhe ato të Amerikës së Veriut u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre që ta shmangin shtetin amerikano-jugor. Por nga ana tjetër, rusët, të cilët e kanë të vështirë të udhëtojnë në vende të ndryshme për shkak të kufizimeve të vendosura si pasojë e pushtimit të Ukrainës, kanë gjetur aty vendin ideal për të shijuar klimën tropikale.
Një prej vendeve më të frekuentuara nga rusët është ishulli Margarita, ku përveç plazheve, ka edhe atraksione turistike natyrore të veçanta. “Nuk kemi shumë vende që mund të vizitojmë në këto kohë”, thotë një turist rus. “Është e vështirë të gjesh një destinacion për pushime”.
Në dy muajt e fundit të vitit 2022, rreth 3000 rusë kanë vizituar ishullin, duke shfrytëzuar edhe fluturimet direkte Moskë-Margarita të ngritur posaçërisht për të lehtësuar transportin. Linja u rihap në tetor, pasi ishte ndërprerë për 7 muaj për shkak të luftës dhe kompania ajrore duhet të ndryshonte itinerarin për të shmangur zonat ku rusëve u ndalohet fluturimi për shkak të sanksioneve.
Një udhëtim nga Moska për në ishull zgjat 14 orë dhe një paketë 12-ditore aty kushton 3500 dollarë. Përveç ishullit, turistët rusë kanë mundësi të vizitojnë edhe qytete të tjera të Venezuelës dhe të vizitojnë muzetë e ndryshëm historikë dhe jo vetëm. Ndër vendet më të vizituara është edhe mauzoleu i ish-presidentit Hugo Chávez në Karakas.