Pas disa ditësh mungesë në daljet publike, kreu i qeverisë u shfaq këtë të hënë me një video duke pirë kafenë e mëngjesit teksa shpjegonte se ka qenë i sëmurë me grip. Edi Rama u shpreh se edhe këto ditë ka vijuar punën dhe është kujdesur që të komunikojë për të sjellë politika të reja mbështetëse për grupet në nevojë. Ndryshe nga ‘Pakoja e Madhe’ këtë herë në fokus të qeverisë është sektori privat.
Edi Rama tha se në politikat e reja mbështetëse do të përfshihet rritja e pagës minimale për të mbështetur punonjësit e sektorit privat, sidomos ata që punojnë në prodhim që sipas tij meritojnë më shumë. Ndër të tjera përmendi se qeveria do të kujdeset për të rritur pagat për kategori të veçanta burimesh njerëzore dhe të mbështesë me strehim mjekët, ushtarakët e policët që kanë një familje të re.
Kryeministri nuk harroi të përmente edhe pensionistët duke kujtuar se përfitimet nga taksa e jashtëzakonshme që do t’i vendoset eksportuesve më të mëdhenj të energjisë në pranverë do të shkojë për të moshuarit. Duke e kthyer në vëmendje ‘Pakon e Madhe’ që ndihmoi grupet në nevojë, pensionistët dhe punonjësit e administratës, Rama thotë se është vënë re rritja e konsumit falë mbështetjes së qeverisë.
“Fillimjavë të mbarë. Bëni kujdes me këtë flamën gripale që është vërdallë se e hoqa vetë dhe s’të bën për burrë sic thonë tironcit.
Nuk e kam ndalur komunikimin me skuadrën time, sidomos me financat për politikat e reja mbështetëse. Duke nisur nga pagat e reja minimale te pagat për kategori të veçanta burimesh njerëzore, mbështetja me strehim e mjekëve, ushtarakëve, policëve që kanë një familje të re. Natyrisht paga tjetër për pensionistët e domosdoshme në pranverë nga rindarja e taksës së jashtëzakonshme mbi eksportuesit e mëdhenj të energjisë.
Na vjen mirë që pakoja e madhe ka lehtësuar ndjeshëm 1 milionë përfituesit e saj dhe vihet re edhe në rritje të kënaqshme të konsumit. Pa diskutim që duhet akoma, sidomos me ata që punojnë me pagë minimale në sektorin privat sidomos ata në prodhim që duhet të paguhen më shumë dhe sa më parë. Së shpejti do t’i diskutojmë dhe vendosim në qeveri e patjetër t’i bëjmë me dije këto politika që e thellojnë më tej profilin e kësaj qeverie të shumicës”, tha Rama.