Pavarësisht zhurmës së madhe që ka krijuar në Shqipëri, arrestimi i ish zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles Mc Gonigal, media prestigjoze amerikane, New York Times në një artikull të publikuar së fundmi, shkruan se nuk ka asnjë tregues që të provojë se Gonigal punonte për oligarkun rus, Oleg Deripaska gjatë kohës që ishte në detyrë. Pra kjo akuzë e ngritur ndaj Mc Gonigal mund të bie pasi nuk provohet asnjë lidhje e tij me oligarkun rus gjatë kohës që ishte shefi i sektorit të kundërzbulimit në FBI.
Ndërkohë përsa i përket Shqipërisë, përkundër akuzave që opozita shqiptare ka bërë sa i takon korruptimit të Mc Gonigal nga Agron Neza biznesmen shqiptaro-amerikan (ish punonjës i inteligjencës shqiptare në kohën e komunizmit) për llogari të kryeministrit Rama, në aktakuzën e autoriteteve amerikane nuk flitet fare për korrupsion por për mosdeklarim të të ardhurave nga ish zyrtari i FBI-së.
“Nuk ka asnjë tregues në aktakuzën e Manhatanit se z. McGonigal punonte për Oleg Deripaska ndërsa ishte ende i punësuar në F.B.I. Çështja ende po hetohet dhe një aktakuzë paralele në Uashington që e akuzonte zotin Mc Gonigal se kishte marrë të paktën 225.000 dollarë pagesa sekrete nga një ish-punonjës i një shërbimi inteligjent shqiptar kur ishte ende në agjenci, ka ngritur pikëpyetje se sa i kompromentuar mund të ketë qenë ai në këtë çështje”-thuhet ndër të tjera në artikullin e gazetës amerikane.
Pjesë nga artikulli i New York Times sa i takon aktakuzave ndaj Charles McGonigal
Ish-agjenti i lartë i FBI-së Charles McGonigal po përballet me dy akuza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Akuza tjetër lidhet me 2 shqiptarë, pasi zyrtari i lartë i FBI, po hetohet për marrjen 225 mijë dollarëve nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, ish agjent shqiptar i inteligjencës në kohën e komunizmit, dhe mosdeklarim të shumës së dollarëve, për të cilat ky i fundit pretendon se ia ka dhënë borxh.