Gazetari edhe analisti Mustafa Nano ka folur pas publikimit të përgjimeve për ngjarjen e 21 Janarit ku mbetën të vrarë 4 persona. Nano tregon dy arsye se përse Sali Berisha nuk e shiti Lulzim Bashën teksa foli për këtë ngjarje. Sipas gazetarit, Basha duhet të tregojë gjithçka që di për çfarë ndodhi atë ditë dhe në këtë mënyrë do t’i bëjë një nder të madh vendit të tij.
“Dje, para se të dilnin në dritë përgjimet e Artan Hoxhës mbi 21 janarin, dëgjuam Berishën të fliste. Dhe Bashës, që atëmot ishte ministër i brendshëm, nuk i dha asnjë rol në atë ngjarje. “Nuk e shiti.” Dy janë shpjegimet e këtij qëndrimi. 1. Ky është një krim i të dyve, dhe në këtë pikë do jenë bashkë deri në varr. 2. I përcillet Bashës mesazhi: “armiqësia mes nesh nënkupton çdo goditje ndaj njëri-tjetrit, por me 21 janarin nuk bëhet shaka.”
Personalisht, besoj këtë të dytën. Basha ka qenë një figurinë atë ditë. Dhe po i kërkohet të mos e hapë gojën. Mirë, Basha ka një mundësi t’i bëjë një shërbim të madh vendit. Duke rrëfyer çfarë di. Sepse ai, edhe sikur të mos ketë bërë asgjë, di gjithçka.
Sidoqoftë, pas publikimit të Artan Hoxhës, SPAK-u duhet të fillojë menjëherë veprimet. Për mua është e çuditshme se si sot në mëngjes nuk lexova dot lajmin me titull: “Arrestime gjatë natës lidhur me 21 janarin.”, shkruan gazetari në Facebook.