Deri më tani, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-presidenti Ilir Meta kanë qenë të paprekshëm, pasi çdo çështje kundër tyre është mbyllur. Por situata ka ndryshuar pasi presioni ndaj drejtësisë së re në Shqipëri është rritur ndjeshëm dhe zhvillimet e fundit paralajmërojnë se dyshen Berisha-Meta i presin “ditë të zeza”. Edhe pse SPAK u kujdes të mos nisë hetimet për një nga dosjet e bujshme për vjedhjen e floririt të shtetit në tunelet e Kërrabës ndodhur në vitet 1997 dhe 1999 ku janë të implikuar Meta dhe Berisha, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të Lartë Shtetëror ka marrë një vendim të bujshëm që mund të sjellë kthesën e madhe të hetimeve. Gazeta “SOT” ka mësuar se GJKKO ka hedhur poshtë vendimin e SPAK, të cilët nuk regjistruan kallëzimin penal të avokatit të njohur Idajet Beqiri kundër Sali Berishës dhe Ilir Metës për vjedhjen e Floririt të Kërrabës. GJKKO, jo vetëm që e hedh poshtë këtë vendim, por urdhëron SPAK që të regjistrojë procedim penal si edhe të nisë hetime të plota për të gjitha pasuritë e familjeve Berisha dhe Meta. Si i kanë vënë këto pasuri dhe a i justifikojnë me të ardhurat që kanë patur.
Detajet nga vendimi i Gjykatës së Posaçme
Gazeta “SOT” disponon vendimin e plotë të Gjykatës së Posaçme, ku gjyqtarja Flojera Davidhi, vendosi se “në përfundim, Gjykata vlerëson se vendimi i Prokurorisë se Posaçme për mosfillimin e procedimit penal, për kallëzimin penal nr. 142, të vitit 2022 duhet të shfuqizohet dhe urdhëron Prokurorinë e Posaçme të regjistrojë procedimin penal lidhur me këtë kallëzim penal, që i përket kallëzuesit, z. Idajet Beqiri, si dhe të kryejë hetimet e nevojshme. Për këto arsye, Gjykata në bazë të nenit 291 të K.Pr.Penale, vendosi: 1. Pranimin e kërkesës. 2. Shfuqizimin e vendimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për mosfillimin e procedimit penal qe lidhet me kallëzimin penal nr. 142 të vitit 2022. 3. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të regjistrojë procedimin penal dhe të kryejë hetimet e nevojshme. 4. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë brenda 10 (dhjetë) ditëve duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit. U shpall në Tiranë, sot në datë 30.11.2022, ora 14.10!”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Posaçme.
Arsyet kryesore pse SPAK e rrëzoi kallëzimin e Idajet Beqirit
Në vendimin e Gjykatës së Posaçme jepen arsyet pse SPAK e rrëzoi kallëzimin e avokatit Idajet Beqiri. “Gjykata, konstaton se pavarësisht se kallëzuesi në kallëzimin e tij penal ka akuzuar të kallëzuarit për një sërë veprash penale, në përfundim, në vendimin e mosfillimit, organi i akuzës ka referuar si shkak për mosfillimin e procedimit penal, në mënyrë të përmbledhur: i) për vjedhjen e thesarit të Krrabës, shkak kalimin e afatit të parashkrimit të ndjekjes penale: ii) faktin se për atë vjedhje janë dënuar disa persona me vendim penal të formës së prerë, si dhe. Iiii) faktin se veprat penale të parashikuara nga nenet 555/a dhe 354 te K.Penal nuk parashikoheshin si vepra penale nga ligji i kohës. Ndërsa në qëndrimin që ka mbajtur ndaj ankimit të vendimit të mosfillimit të kallëzuesit, përveç sa sipër, Prokuroria ka arsyetuar se pretendimet në kallëzim janë indicie të pamjaftueshme për të regjistruar një procedim penal dhe për fillimin e hetimeve për veprat penale të pretenduara nga kallëzuesi. Pra, prokurorja në qëndrimin e saj depozituar pranë Gjykatës, në mënyrë të përgjithshme ka dhënë si shkak mosfillimi të procedimit penal, krahas shkakut të parashkrimit të veprës penale dhe te mosparashikimit të dy prej veprave penale nga ligji i kohës edhe shkakun se fakti penal nuk ekziston,ose nuk vërtetohet se ekziston, shkak ky i papërmendur në vendimin e mosfillimit të procedimit penal të datës 07.10.2022 .
Arsyetimi se ka kaluar shumë kohë nga ngjarja
“Prokurorja duke marrë shkak nga përcaktimi ligjor i bërë në nenin 66 të K.Penal që parashikon se: “Nuk mund të bëhen ndjekje penale kur nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur kanë kaluar: b) 20 vjet për krimet që parashikojnë dënim jo më të ulët se dhjetë vjet burgim ose dënim tjetër me të rende;… “, 1 parë ky nen 1 lidhur me nenin 136 të Kodit Penal që parashikon se: “Vjedhja e bankave dhe e arkave të kursimit dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet’, si dhe referuar nenit 290, pika 1, gërma “e” të K.Pr.Penale sipas të cilit: “Procedimi penal nuk mund të fillojë kur:…e) në të gjitha rastet e tjera të parashikuara nga ligji”, ka vendosur mosfillimin e procedimit penal lidhur me kallëzimin penal objekt gjykimi, për shkak se nga momenti i kryerjes së veprës penale (të fundit-dhjetor 1999) deri në datën e kallëzimit kanë kaluar më shumë se 20 (njëzet) vjet, duke e bërë të pamundur marrjen në përgjegjësi penale të ndonjë personi si i pandehur, edhe sikur të rezultonte kryerja e veprës penale nga ana e personit (kjo e fundit e nënkuptuar nga gjykata)”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Posaçme.
Çfarë thotë ligji?
“Gjykata, në analizë të dispozitës së parashikuar në nenin 66 të K.Penal, vëren se, objekti i masës së dënimit të parashikuar në këtë nen i referohet maksimumit të dënimit të parashikuar shprehimisht nga secila dispozitë që parashikon veprën penale. Parashikimi i një hapësire dënimi, duke filluar me një cak minimumi dhe një cak maksimumi të masës së dënimit shërben, jo vetëm për përcaktimin dhe individualizimin e sanksionit penal me parimin e fajësisë dhe realizimin e dhënies së drejtësisë, por gjithashtu edhe për përcaktimin e maksimumit të sakrifikimit të lirisë personale që mund të caktohet për cenimin e një marrëdhënieje juridike të mbrojtur penalisht nga dispozita penale e posaçme, dhe kriteri i maksimumit të marzhit të dënimit për secilën vepër përbën një baraspeshim të drejtë midis interesit publik për ndjekjen dhe ndëshkimin e veprës penale dhe ato të individit për lirinë dhe sigurinë juridike. Gjithashtu, nga përmbajtja e nenit 66 të K.Penal rezulton se, afati i parashkrimit llogaritet në ditë kalendarike, sipas rregullave të përgjithshme. Afati fillon në çastin kur vepra konsiderohet e kryer dhe përfundon ditën e fundit korresponduese të plotësimit të tij. Si pikë referimi merren çasti i kryerjes së veprës dhe çasti i marrjes së personit si i pandehur. Pra, kërkesë e detyrueshme e ekzistencës së parashkrimit është plotësimi i afateve të tij në momentin e marrjes së personit si i pandehur.
Gabimi i SPAK
“Është fakt i provuar se thesari i shtetit, vendosur në Krrabë është vjedhur në periudhën 1999-2000 fakt i konkluduar nga vendimi i Gjykatës Ushtarake Tiranë). Për një pjesë të vjedhjes së tij janë dënuar disa persona, ndërsa për pjesën tjetër të diferencës se thesarit, Gjykata nuk ka informacion se çfarë është bërë lidhur me këtë fakt penal. Nuk përftohet nga aktet ndonjë e dhënë se cilat janë veprimet hetimore që janë kryer nga ana e Prokurorisë Tiranë (në atë kohë prokuroria ushtarake) dhe çfarë është konstatuar konkretisht për faktin penal, personat e dyshuar etj. Gjithashtu, nuk dihet nëse ka pasur ndonjë vendim pezullimi nga organet e drejtësisë së kohës, apo është disponuar me pushim procedimi penal. Pasur parasysh këtë rrethanë, Gjykata vlerëson se para se prokurorja e Prokurorisë së Posaçme të konkludonte lidhur me mosfillimin e procedimit penal për kallëzimin penal objekt gjykimi, nëse ka patur, çfarë është bërë me këtë çështje (cilët janë veprimet hetimore që janë kryer në atë kohe), është pushuar, apo pezulluar dhe nëse është pezulluar çfarë është bërë me procedimin penal, pas kalimít të afatit 20 vjeçar të parashkrimit të ndjekjes penale? Vetëm pasi të kryente një verifikim të tillë, Prokuroria, do të mund të analizonte se në ç’raport qëndrojnë pretendimet e kallëzuesit për faktin e vjedhjes së thesarit të Krrabës, me ato të rezultuara të provuara nga verifikimet e kryera. Në këtë mënyrë Prokuroria do të mund të identifikonte drejt edhe shkakun për mosfillimin e procedimit penal (nëse do të vazhdonte të kishte një bindje të tille)”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Posaçme
Gjykata e Posaçme: Ja çfarë duhet të sqaronte SPAK
“Përveç sa sipër, rezulton se akuzë tjetër e bërë nga kallëzuesi në drejtim të të kallëzuarve, ka të bëjë me faktin që këta ish-funksionarë të lartë kanë vepruar në bashkëpunim në formën e tij të posaçme, atë të “Grupit të strukturuar kriminal” e për rrjedhojë duhet të mbajnë përgjegjësi për të si, dhe për “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 333/a dhe 334 të K.Penal. Me të drejtë, prokurorja, duke i qëndruar këtyre akuzave, ka konkluduar se këto vepra penale nuk parashikoheshin nga ligji penal i kohës dhe për rrjedhojë, nuk ka vepër penale e as përgjegjësi penale për to. Megjithatë, nga ana tjetër është e vërtetë që ligji penal i kohës parashikonte forma të bashkëpunimit të posaçëm në kryerjen e veprës penale, e për rrjedhojë Prokuroria do të duhet të përcaktonte qartë shkakun e mosfillimit të procedimit penal për këto akuza, pasi në çdo rast kualifikimi i saktë ligjor i fakteve penale të kallëzuara dhe sesa të banueshme apo vërteta janë, është kompetence e organeve të drejtësisë.”
Vdekja misterioze e dy truprojave të Ilir Metës
Një nga akuzat penale të ngritura nga kallëzuesi është edhe ajo e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”. Për këtë akuzë, ku kallëzuesi përmend si viktima të veprës penale dy persona qe tashme kanë ndërruar jetë, por që sipas tij kanë marrë pjesë aktive në vjedhjen e thesarit të Kërrabës, nën drejtimin e z. Ilir Meta e për këtë arsye ata janë vrarë për të mos treguar për faktin penal ku ishin përfshirë, Prokuroria në vendimin e mosfillimit nuk e ka përmendur fare këtë akuzë, ndërsa duhet thënë se vepra penale e vrasjes në rrethana cilësuese është një vepër penale që nuk 1 nënshtrohet afateve të parashkrimit”. Ndërsa gjykata vlerëson se nuk ka asnjë të dhënë apo indicie, që të krijojë dyshimin se vdekja e këtyre dy shtetasve rezultuar për shkaqe natyrore (sëmundje e keqe) ka qene e paramenduar, Prokuroria do të duhet të përcaktonte saktë shkakun ligjor se përse kërkon mosfillimin e procedimit penal edhe për këtë vepër penale, gjë që nuk e ka bërë, duke mos e përmendur fare ne vendimin e mosfillimit.
Pasuria marramendëse e Metës dhe Berishës
Përveç sa sipër, kallëzuesi ka pretenduar se dy ish-funksionarët e lartë të shtetit shqiptar kanë pasuri të pajustifikuara për të cilët përveçse i ka kallëzuar për pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, ka kërkuar ndjekjen penale të tyre edhe për veprat penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendor”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarim, shkelje ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike ” dhe “Fshehja e të ardhurave”të parashikuara nga nenet 257/a, 245, 259 dhe 180 të K.Penal, ndërsa në ankim ka përmendur disa pasuri të paluajtshme konkrete duke i individualizuar ato, të cilat sipas tij janë produkt vepre penale, janë të pajustifikuara dhe ka dyshime nëse janë deklaruar rregullisht nga të kallëzuarit apo jo. Duhet thënë se lidhur me këto akuza, është e vështirë që qytetari i thjeshtë të sjellë të dhëna shkresore (pra indicie domethënëse), të dokumentuara, për sa kohë aksesi i tyre në organet publike lidhur me të dhënat e pronësisë mbi pasuritë e dyshuara, është i kufizuar me qellim që të ruhet nga ana tjetër edhe në njëfarë mase privatësia e funksionarëve publike, megjithatë në këtë rast kallëzuesi në ankimin e tij ka referuar në disa pasuri të paluajtshme sipas të cilit janë të të kallëzuarve e sipas vlerësimit të tij nuk justifikohen nga të ardhurat e ligjshme të të kallëzuarve.
Gjykata e Posaçme kërkon hetimin pasuror të Metës e Berishës
Gjykata e Posaçme thotë në vendim se: “Lidhur me këtë fakt, Prokuroria nuk ka bërë asnjë verifikim lidhur me to, qoftë duke kërkuar informacion nga ASHK apo ILDKPKI-ja, për të krijuar bindjen nëse pronat e listuara nga kallëzuesi janë reale apo jo, dhe nëse janë reale, a janë deklaruar ato rregullisht sipas kërkesave ligjore nga këta dy ish- funksionarë të lartë. Pra, vetëm në këtë mënyrë, pra pas këtyre verifikimeve të para, Prokuroria mund të konkludonte me mosfillimin e procedimit penal për shkak të mungesës së të dhënave apo të indicieve të qenësishme për vepër penale. Por sa kohë nuk është bërë një verifikim i tillë paraprak, këto vepra penale nuk janë të tilla mbi të cilat haptazi nuk ka nevojë për verifikime, për të konkluduar se nuk ka të dhëna të qenësishme apo indicie për mosfillimin e procedimit penal. Gjykatës, i rezulton se të kallëzuarit kanë vijuar edhe në vitet e mëparshme të jenë zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, ndërsa Prokuroria nuk ka përcaktuar se cili është shkaku i mosfillimit të procedimit për këto vepra penale.”
SPAK nuk i ka dhënë përgjigje të gjitha kërkimeve të bëra në kallëzimin penal
Gjykata, vlerëson se sa sipër janë të rëndësishme, për arsye se shkaku për të cilën kërkohet mosfillimi i një procedimi penal merr rëndësi, sidomos në rastin e veprave penale të referuara, për shkak se te kallëzuarit në çdo rast, mund të gjenden para faktit të nisjes së një hetimi pasuror për ta, duke e zhvendosur barrën e provës më pas tek të dyshuarit, qoftë edhe në bazë indiciesh, për përfshirjen e tyre ne veprimtari të kundraligjshme, ndërkohë që në procesin penal, barra e provës i takon organit të akuzës. Sa sipër, Gjykata vlerëson se Prokurorja nuk i ka dhënë përgjigje të gjitha kërkimeve të bëra në kallëzimin penal, ndërsa në qëndrimin e saj me shkrim ka vendosur si shkak për mosfillimin e procedimit penal, një shkak të papërmendur në vendimin e mosfillimit, atë të mosekzistences se faktit penal, duke e bërë kështu të pamundur që pala kallëzuese të mbrohet në rrugë gjyqësore lidhur me këtë shkak të pretenduar. Në këto rrethana, do të duhet që në kushtet kur tanimë nuk mund të bëhen më verifikime për sa është kallëzuar pasi kjo fazë tashmë konsiderohet e ezauruar, Prokuroria duhet ta regjistrojë këtë kallëzim penal, të kryejë verifikimet e nevojshme dhe në varësi të konstatimeve dhe konkludimeve, ose të sjellë kërkesën për pushim të procedimit penal duke specifikuar saktë shkakun për të cilën kërkon pushimin e procedimit penal ose të kryejë hetime të tjera sipas detyrës kushtetuese dhe ligjore për ushtrimin e ndjekjes penale për veprat penale për të cilat mund te ketë indicie të qenësishme”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Posaçme.