Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të hënën që 29 janari do të jetë afati ligjor, kur partitë kryesore politike të dorëzojnë propozimet për anëtarët e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ).

E drejta për të propozuar komisionerë sipas Kodit Zgjedhor u takon dy partive kryesore nga mazhoranca dhe dy partive kryesore nga opozita, ndërsa kryesimi i KZAZ-ve ndahet mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.

Sipas vendimit të KQZ-së “në zgjedhjet e datës 14 maj 2023 dy anëtarë në çdo KZAZ propozohen nga Partia Socialiste e Shqipërisë; një anëtar nga Partia Social Demokrate; dy anëtarë nga Partia Demokratike e Shqipërisë dhe një anëtar në çdo KZAZ do të propozohet nga Partia e Lirisë”.

Anëtari i shtatë i KZAZ-ve do të propozohet në përputhje me rezultatet e shortit të hedhur në KQZ, ndërmjet PS dhe PD.

Por kjo formulë e thjeshtë e përcaktuar në ligjin zgjedhor pritet të rikthejë përplasjen mes grupimeve rivale në Partinë Demokratike, pasi statusi juridik i kësaj partie është i paqartë pas luftës së brendshme për të marrë kontrollin e saj.

Përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Indrit Sefa, i pranishëm në mbledhjen e së hënës, i tha BIRN-it se propozimet për komisionerë do t’i dërgojë partia e cila figuron e regjistruar në librin e partive politike në Gjykatën e Shkallës së parë të Tiranës.

“Si praktikë pune KQZ i dërgon një letër gjykatës së Tiranës për të marrë listën e partive politike të regjistruara në regjistrin e gjykatës”, thotë Sefa.

Sipas tij, në këtë regjistër PD figuron me kryetar Lulzim Bashën, edhe pse ai ka dhënë dorëheqjen publikisht gati 1 vit më parë.

“Basha ka autorizuar të drejtën për të kryer veprime në KQZ nënkryetarët e partisë, por edhe mua si përfaqësues ligjor”- thotë Sefa, për të cilin është e qartë nga ana juridike që e drejta për të propozuar komisionerë i takon grupimit që njihet si “Basha-Alibeaj”.

Por, për palën tjetër me në krye ish-kryeministrin Sali Berisha e drejta për të vendosur komisionerët zgjedhorë u takon atyre, pasi ata përfaqësojnë partinë me strukturat dhe anëtarët e saj.

“Ka një vendim gjykate në fuqi që njeh kuvendin e 11 dhjetorit të PD-së, vendimet dhe simbolet e vendosura në atë Kuvend”- i tha BIRN-it Oerd Bylykbashi, duke iu referuar vendimit të shkallës së parë të marr më 25 mars 2022.

Por, çështja nuk ka marrë një vendim të formës së prerë pasi u apelua nga grupi tjetër i kryesuar nga Enkelejd Alibeaj.

Bylykbashi e pranon ngërçin juridik para të cilit ndodhet KQZ-ja, por shton se është me rëndësi që balanca politike e komisioneve zgjedhore të ruhet sipas frymës së ligjit.

“Kjo formulë e KZAZ-ve u vendos në reformën zgjedhore të 2003-it dhe ka krijuar një balancë politike që nuk është kontestuar në administrimin e zgjedhjeve”- thotë ai, duke shtuar se “potenciali për detonim të situatës politike është i lartë”.

“Prekja e balancave dëmton procesin zgjedhor dhe atë politik”- përfundon Bylykbashi.

Partia Demokratike u nda në dy kampe që nga muaji shtator 2021, kur kryetari i saj Lulzim Basha vendosi të përjashtojë nga grupi parlamentar ish-kryeministrin Sali Berisha për shkak të shpalljes së këtij të fundit nga Shtetet e Bashkuara si person i përfshirë në korrupsion madhor.

Berisha nisi një fushatë për të rimarrë drejtimin e partisë dhe krijoi organe të reja, miratoi statut e sigël të re. Ai mori dhe selinë fizike të partisë pas vendimit të gjykatës, ndërsa Basha dha dorëheqjen për shkak të rezultateve të dobëta në zgjedhjet e pjesshme të marsit 2022.

Gjithsesi Basha arrin akoma të kontrollojë një pjesën më të madhe të grupit parlamentar, kryetari i të cilit Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se do të futet në zgjedhje me kandidatë të ndryshëm nga PD-ja e Berishës.(BIRN)