Fatmir Mediu ka shkelur ligjin kur ishte ministër i Mbrojtjes duke shpërdoruar detyrën, veprime të cilat sollën tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe shumë të tjerë i plagosën. Ky është përfundimi që ka arritur pas hetimit disa mujor, Prokuroria e Posaçme (SPAK) për ish ministrin e Mbrojtjes mbi të cilin tashmë rëndon akuza e ‘shpërdorimit të detyrës’ dhe zyrtarisht është marrë i pandehur. Burime për gazetaren e Report Tv Keti Banushi kanë konfirmuar se Mediut do t’i komunikohet zyrtarisht akuza sot nga SPAK.
Prokuroria e Posaçme ka hapur çështjen dhe vijon hetimet që prej një viti tashmë, për të identifikuar përgjegjësit kryesor të tragjedisë së Gërdecit që ndodhi gjatë kohës që qeveriste Sali Berisha. Një sërë provash bëjnë përgjegjës Sali Berishën dhe djalin e tij, Shkëlzeni si edhe Fatmir Mediut. Kjo sepse emri i Sali Berishës dhe i Shkëlzenin përmendej shpesh në bisedat telefonike midis dëshmitarit kyç të Gërdecit, Kosta Trebicka dhe Efraim Diverolit, trafikantit të armëve nga Florida. Nga zbardhja e tabulateve telefonike, Efraim Diveroli deklaronte se Berisha dhe Shkëlzeni janë koka e mafies që kontrollonin Gërdecin.
SPAK tashmë ka rifilluar me pyetjen e dëshmitarëve, trashëgimtarëve të viktimave dhe personat e dëmtuar nga tragjedia. Pjesë e ripyetjes do të jenë edhe ish zyrtaret e lartë në periudhën e tragjedisë me 15 mars 2008. I fundit në u pyet ishte ish ministri i Berishës, Aldo Bumçi.
Deri ku janë hetimet?
Ishte Gjykata e Lartë e cila përmes një vendimi në dhjetor 2021 rrëzoi rekursin e Fatmir Mediut për të mos u hetuar dhe lejoi SPAK të niste punën. Më parë kishte qenë Apeli i GJKKO, i cili më 24 shtator 2021 mori vendimin për rikthimin për hetim në SPAK të dosjes, duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë dhe të familjes Durda. 14 vite pas tragjedisë, familjeve të viktima iu është rikthyer shpresa se mund të marrin drejtësinë e munguar për familjarët e tyre. Apeli i GJKKO rrëzoi një vendim të mëparshëm të shkallës së parë, duke argumentuar se çështja nuk është gjykuar dhe se heqja e imunitetit të Mediut i hap rrugë procesit për rihetim.
Nga ana tjetër SPAK ka dërguar në korrik të këtij viti një letërporosi në SHBA, ku kërkohet marrja në pyetje e Efraim Diverolit, trafikantit të armëve nga Kalifornia. Diveroli, është ndër personazhet kryesore që i paraprijnë tragjedinë e Gërdecit, që përfitoi një kontratë të majme furnizimi armësh nga Pentagoni, në sajë të mbështetjes direkte nga qeveria Berisha, madje edhe lidhjes me Shkëlzen Berishën dhe bleu municione e fishekë nga Shqipëria për t’ua shitur amerikanëve në Irak e Afganistan. Ministrat e Berishës në krye të Mbrojtjes dhe Drejtësisë, Fatmir Mediu dhe Aldo Bumçi vepronin në diktimin e Shkëlzenit për të bërë letrat e biznesit me pasurinë publike, siç ishin municionet. Dy orë pas shpërthimit, ditën e 15 marsit 2008, nga tablatet telefonike rezulton se Fatmir Mediu, telefonatën e parë e zhvillon me pikërisht Shkëlzen Berishën, e cila zgjat 74 sekonda. Gjithashtu, pas shpërthimit, mes personave të parë që u ka telefonuar pronari i “Albademil” Mihal Delijorgji që merrej me demontimit, është Shkëlzen Berisha.
Si ndodhi tragjedia e Gërdecit?
Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një “fabrikë” për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese. Një “betejë” e gjatë dhe e ashpër po zhvillohet mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjellta mes palëve.