6 Janari simbolizon ditën e shenjtë të Ujit të Bekuar që përcillet çdo vit si një festë e madhe për të gjithë besimtarët e krishterë. Ceremonia u zhvillua këtë të premte në Berat, Sarandë dhe Durrës.
Në Sarandë, besimtarët ishin në meshën në Kishë e Shën Harallambit dhe më pas iu drejtuan shëtitores ndërsa u hodh kryqi në bregdet. Sipas zakonit, të rinjtë sfiduan të ftohtin dhe u hodhën në ujë, me qëllim kapjen e kryqit. 22 vjeçari Andrea Baruta ishte i riu që arrit të kapte kryqin në ujë. “Shëndet dhe vit të mbarë të kemi të gjithë”, tha i riu.
Në Berat, ishin 7 të rinj që u hodhën në ujërat e akullta të Osumit. Kryqi u kap nga 22-vjeçari Vasil Tapia, i cili uroi besimtarët. I riu Vasil Tapija shprehet se është viti i katërt që hidhet në lum për kryqin dhe hera e parë që e kap. Ai shprehet se ndihet i lumtur dhe uron të gjithë besimtarët në këtë ditë të bekuar.
Në Durrës, ceremonia u zhvillua në portin detar në kalatën nr.4. Disa të rinj u hodhën në ujë, por kryqin e kapi 16-vjeçari Vasil Aleksi.
“Më ndihmoi Zoti të kapja kryqin. Ja dedikoj xhaxhait tim që është larguar nga kjo jetë. Uroj një vit sa më të mbarë”, tha i riu.
Për besimtarët e krishterë, dita e 6 Janarit simbolizon jo vetëm ditën e pagëzimit të Jezu Krishtit, por edhe pastrimin e të gjitha ujërave të ndotur në mbarë botën, duke lajmëruar faljen e mëkateve dhe mëshirën e Perëndisë. Pas ceremonisë, besimtarët e krishterë i drejtohen Kishës për të mbushur bidona me ujë të bekuar, të cilin e marrin në shtëpi dhe e mbajnë për gjithë vitin, pasi ky ujë për ta shërben për të shëruar shpirtrat dhe trupin dhe pihet sa herë që ata janë të sëmurë.
Çfarë është dita e Ujit të Bekuar? Ne moshën 30 vjeçare, Krishti, Biri dhe Fjala e Perëndisë, u shfaq mbi ujërat e lumit Jordan, që të pagëzohet nga Joani Pararendësi dhe Pagëzor. Dhe Jezusi, sapo u pagëzua, qiejtë u hapën, dhe një zë nga qielli tha: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur” shkruhet në ungjill. Dhe këtu e ka zanafillën besimi se uji i bekuar është mjet pastrimi i shpirtit të mëkatarit ndaj dhe çdo datë 6 janar besimtarët ortodokse bëhen pjesë e ritualit të Ditës së Ujit të Bekuar. Në këtë ditë të shenjtë, uji bëhet ikona e hirit të padukshëm të Perëndisë, që me anë të ujit dhe të Shpirtit i rilind, i pastron, i shenjtëron dhe i ndriçon njerëzit besimtarë në Krishtin.