U festua sot 31-vjetori i themelimit të Forumit të Rinisë Eurosocialiste të Shqipërisë (FRESSH). Të pranishëm ishin Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolli, ministra, deputetë, mijëra të rinj pjesë e strukturës rinore të Partisë Socialiste, por edhe shumë prej atyre që kanë kontribuuar ndër vite për këtë forum.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, njëkohësisht dhe dputete e Partisë Socialiste në Qarkun e Tiranës u shpreh se 15 maji do të jetë një ditë feste e punëve transformuese në të gjithë qarkun e Tiranës. “Sot kemi ditëlindjen, sot kemi festë, por unë dua të vrapoj te festa e 15 majit. Do të jetë një festë e madhe, një festë e bukur, një festë e punëve transformuese Në Kamëz, Tiranë, Vorë, Rrogozhinë e Kavajë. Ndaj ju lutem ruajeni fort energjinë dhe shpërndajeni në çdo komunitet tuajin. Flisni për punën e Edi Ramës, punën transformuese të Partisë Socialiste që duhet të vijojë pa ndërprerje. Më e madhe, më e bukur do të jetë festa e 15 majit. Deri atëhere të mos ndalemi duke trokitur në çdo derë. Duke folur sesa shumë gjëra janë bërë dhe sa shumë na presin në të ardhmen me punë, punë, punë”, theksoi kryeparlamentarja Nikolla.
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi u shpreh se të rinjtë dhe të rejat e këtij forumi kanë treguar se janë më të mirë duke punuar fort për t’ia arritur qëllimit. “Kam kuptuar që kemi tre elementë që na bëjnë të veçantë nga çdo rini tjetër, na bëjnë të veçantë nga çdo rini e Ballkanit, e Europës dhe e botës. Ne, pikë së pari, kemi një motivim shumë të madh. Këtë e tregojmë sa herë që jemi të parët, sa herë që jemi më të mirët, por mbi të gjitha e tregojmë edhe kur rrëzohemi dhe nuk kemi frikë të ngrihemi prapë;nuk kemi frikë të vazhdojmë të luftojmë; nuk kemi frikë të vazhdojmë të kërkojmë ëndrrat tona. E dyta është që jemi ekip që kujdeset për njëri-tjetrin. Pika e tretë dhe më e rëndësishmja është këmbëngulja”, tha Muzhaqi.
Sekretari për Koordinimin Digjital në Partinë Socialiste, Etjen Xhafaj shprehu bindjen se PS do të fitojë në të pesta bashkitë e qarkut të Tiranës në zgjedhjet e 14 majit.
“Ne në këtë qark luajmë të gjithë një rol. Luajmë një rol për Partinë Socialiste, luajmë një rol për Shqipërinë dhe zhvillimin e çdo qyteti, çdo lagjeje, çdo rruge. Mos harroni kurrë një gjë: të gjithë, edhe Erioni, edhe Edi Rama, edhe unë, e kemi filluar të gjithë në të njëjtëjn mënyrë me ju, si aktivistë”, tha Xhafaj.
Deputeti i Partisë Socialiste në Qarkun e Tiranës, Orlando Rakipi deklaroi se falë lidershipit socialist, në Vorë janë bërë shumë investime të rëndësishme prej të cilave kanë përfituar dhe të rinjtë dhe të rejat. “Dua t’ju falenderoj për punën që keni bërë. Kemi akoma shumë për të bërë. Kam dy fjalë për Vorën ku janë bërë shumë investime duke filluar që nga shkollat, palestrat, hapësirat publike për të rinjtë dhe stadiumin e qytetit të Vorës. Ju falenderoj të gjithëve. Ti japim forca edhe kësaj here për fitoren tonë të radhës”, nënvizoi Rakipi. Duke uruar ditëlindjen e FRESSH-it, drejtuesi politik për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj tha se e ardhmja e familjes së madhe të socialistëve është Forumi Rinor Eurosocialist i Shqipërisë. Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se 1/3 e Këshillit Bashkiak të Tiranës përbëhet nga çunat e gocat e FRESSH-it.“Sot jam shumë krenar, jo vetëm për ata që themeluan FRESSH-in 31 vite më parë, por jam super mirënjohës për ata që, ndoshta 31 vite më parë nuk kishin lindur akoma, por sot janë pjesë e kësaj energjie të bukur, që është organizata jonë, familja jonë, që drejtohet nga Edi Rama. Familja është Partia Socialiste e Shqipërisë dhe e ardhmja e kësaj familjeje është Forumi Rinor Eurosocialist i Shqipërisë, të rinjtë europianë socialistë, kjo është motoja jonë!”, u shpreh Veliaj. Ai tha se anazhimi i PS-së në Qarkun e Tiranës është të kandidojë të rinj në çdo Këshill Bashkiak, në mënyrë që të jenë ata që i marrin vendimet. Veliaj tha se, pas 4 muajsh, PS-ja do të gdhihet fitimtare në secilën prej bashkive të qarkut më të madh në vend.