Tre fusha të reja sportive, një fushë minifutbolli dhe dy fusha për lojërat me dorë janë shtuar në shkollën 9 vjeçare “Mihal Grameno” në Njësinë 2 në Tiranë. E rikonstruktuar në vitin 2019 shkolla ku aktualisht mësojnë afro 1 mijë nxënës ka dhe një pistë vrapi dhe për kërcim së gjati, duke bërë që fëmijëve tu krijohen të gjitha kushtet për aktivitet fizik. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ishte ditën e sotme për të parë këto ambiente të reja tha se ndihet i lumtur që në ish-lagjen ku ai është rritur e nuk kishte më parë asnjë terren sportiv, tashmë fëmijët mund të zhvillojnë të gjitha sportet, futbollin, basketbollin e volejbollin apo atletikën.
“Kam një nostalgji të jashtëzakonshme kur kthehem tek fusha ku unë kam kaluar një pjesë të madhe të fëmijërisë sime, deri në moshën 11 vjeç, tek ai pallati i kuq në sfond, ku fusha ishte e degraduar, me ato kushte rrethanore që ishin atëherë, me atë varfërinë ekstreme të fund viteve ’80 – fillim i viteve ’90, një fushë që sheshohej dhe rrafshohej me qymyr, pra imagjino çfarë improvizimi! Sot shohim një terren që është jo vetëm dita me natën me atë që ka qenë, por i denjë edhe për çdo vend në perëndim. Sot shikon edhe se si lagjja është superpopulluar, fillimisht me ndërtimet, pastaj me më shumë urbanistikë,” tha Veliaj.
“Lajmi i parë i mirë që na erdhi për lagjen, ishte hapja e shkollës “Bashkim Fino”, vetëm 100 metra në vijë ajrore që ka ulur pak presionin tek “Mihal Grameno”. Lajmi tjetër i mirë pas rikonstruksionit të shkollës janë padyshim këto terrene. Ne duam që të kemi 100 terrene të tilla këtë vit, duke qenë se Tirana është edhe Qyteti Europian i Sportit,” theksoi ai.
Kreu i Bashkisë kishte një ftesë për prindërit të regjistrojnë fëmijët në sport si mënyra më e mirë për shëndetin dhe mirërritjen e tyre. “Inkurajoni fëmijët të merren me sport! Ndoshta jo të gjithë do bëhen Ela Tase, apo Kuqi në basketboll, apo Messi në futboll por gjasat janë që një i ri, një e re që luan në skuadër, në ekip mëson çfarë është fitorja, çfarë është humbja, më shumë rrit karakterin sesa muskujt e vet. Regjistroni fëmijët në sport! Një sebep më të mirë sesa ky ku Tirana është Qyteti Europian i Sportit nuk do kemi. Kështu që, të shfrytëzojmë këtë sebep. Më pak kohë nëpër celularë, nëpër kompjuter, më shumë kohë me shokët, sepse unë besoj që kemi nevojë të rrimë bashkë dhe kemi nevojë si shoqëri të investojmë tek fëmijët,” u shpreh Veliaj.