Frrok Çupi
Më shkroi sot reporteri i një gazete këtu dhe më kërkoi një intervistë ‘për 21 Janarin’. Desha t’i them: ‘Po prapë për 21 Janarin?…”. Mirëpo pyetja e fundit më bëri t’i shkruaj intervistën. Çfarë thoshte djali?
“Sipas jush, pse ndodhën vrasjet’ e 21 Janarit?”. Kjo ishte pyetja.
Desha të bëj pak ironi, por nuk do të ishte mirë. Çdo ditë e orë, që nga sekonda e vrasjes së katër aktivistëve të qytetarisë, secila është një ironi.
Ironia nisi me ‘i desh… me nderë kryeministrit’ që të vriste katër njerëz. Ia deshi ajo… dhe i vrau. I thashë reporterit sot se ‘nëse doni të dini pse Saliu i vrau katër aktivistët, atëherë provojeni edhe një herë: Bëjeni Saliun ‘nuse’ dhe provoni t’u vrasë me radhë. ‘Do të vrasë çdo njeri normal, çdokënd që e ka kundërshtuar, çdo qytetar që bën jetë normale e ka një banesë dhe një tualet… Do të vrasë të ardhmen e vendit, bashkë me Ilir Metën- trimin e ‘çartur’ që i kullon dora vjedhje dhe mendja budallëk’.
Kështu i thashë reporterit.
Tani pas 12 vjet, Saliu është shumë më i lirë dhe më ‘i mirëpritur’ që të vrasë njerëz me armën e pushtetit. Tani që po gjëmon bota mbi ‘krimin shtetëror të 21 Janarit’, e dini çfarë po mendon ai? Jam i sigurt se po i vjen mendja vërdallë me vetëqortimin “Ah, të isha edhe një herë! Ah, pse atë ditë nuk e kisha këtë liri dhe eksperiencë që kam sot?!’. Ditën e 21 Janarit, Sali Berisha dhe ndihmësi i tij Ilir Meta, ishin shumë herë më të palirë se sot. Ose e thënë ndryshe, sot janë njëmijë herë më të lirë se sa ditën kur ‘e luajtën gishtin’ mbi demonstruesit e mbi gjithë Shqipërinë.
E di pse janë më të lirë?
Lirinë e provuan duke marrë rolin e miut. Prej dymbëdhjetë vitesh, 12 mijë herë kanë kaluar nëpër mustaqet e popullit shqiptar. Ky është fenomeni ‘mi’. Shqiptarët përdorin shpesh një aforizëm plot ironi: “Një herë kalon miu nën mustaqe…’. Mirëpo me vrasjet shtetërore ka ndodhur ndryshe: Çdo vit, në 12 vjet, Saliu e Meta dalin e kundrojnë për nga bulevardi dhe thonë ‘ju bëfsha…’, me nderë.
Si miu…
Minj në tre epoka të tjera:
Në epokën e piramidave financiare mashtruese, ku Saliu lau paratë e naftës dhe të armëve që u dërgoi Millosheviçit dhe Afganistanit. Aty u la në gjak edhe toka shqiptare, u vranë 3000 dhe u mbollën mijëra vrasje të tjera me armët që u vunë në duar të civilëve. Për herë të parë kombi ynë hyri në luftë civile njëra pjesë kundër pjesës tjetër. Vetëm 17 milionë lekë (të vjetër) la Saliu në Thesar ditën që la pushtetin… Teksa ikte ai veshi lëkurën gri të miut dhe u betua se ‘këtu nëpër mustaqet tuaja do të kaloj prapë’. Ashtu bëri 30 vjet.
Në epokën e dytë, grushti i shtetit, shtator 1998:
-Doni tu vij si mi apo si peshkaqen?, tha me gjuhën e tankeve në shtator të atij viti. Gjahu i tij, Azem Hajdari, ishte në arkivol, dhe ky e konfiguroi arkivolin si qenie të mistershme. Mori qeverinë, mori Televizionin, mori Ambasadën e Amerikës, mori dyqane e ushqime ça kishte Tirana dhe u shpall ‘mbret’. Kur nuk e lanë në këtë pozitë, ai u kthye në mi dhe u betua se ‘këtu, nëpër mustaqe do të më keni!’.
Në epokën e tretë të ‘Gërdecit’, si të thuash ‘të Gurit’, prapë bëri ofertën para popullit shqiptar:
‘Tu vij si vrasës apo edhe si pjekës në furrë!?’.
Erdhi me të dyja. U bënë 15 vjet që bën të njëjtën punë: Vrau 27 vetë në furrën e të birit ku shkriheshin municione për armë. Të tjerët, nja 4 milionë njerëz që mbetën gjallë, i përdori si ‘mustaqe për minj’. Aty kalon e nuk i ndodh gjë.
Kësaj herë, për 21 janarin, bëri edhe një eksperiment: I bëri thirrje ‘ushtrisë’ së tij gjykatës e prokurorë, me parulla të koduara: ‘A jeni gati?… Provat e reja janë të falsifikuara!’. Drejtësia u ngrit më këmbë: ‘Pooo!, pas teje jemi, o miu ynë mbret!’. E para u ngrit një prokurore kushërirë, të tjerët janë në kuvli.
Kemi ardhur në ditën që t’i kërkojmë SPAK-ut ‘të paktën miun mos e lini të kalojë nëpër mustaqe popullit tonë me legjenda’. Besoj se këtë mund ta bëjë.